Ish-drejtori i Policisë: Nuk jemi në fazë emergjente për të prodhur policë çdo tre muaj, ndaj personave në ndikim të alkoolit s’ka nevojë të përdoret forcë
Agon Zejnullahu ishte një 27-vjeçar nga Lipjani që vdiq në mënyrë tragjike pak pasi u arrestua nga Policia e Kosovës në mëngjesin e 7 korrikut. Një rreshter dhe katër zyrtarë policor janë të dyshuar për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, ndaj të cilëve sot u mbajt seanca dëgjimore në degën e Gjykatës Themelore të Prishtinës.…

Lajme
Agon Zejnullahu ishte një 27-vjeçar nga Lipjani që vdiq në mënyrë tragjike pak pasi u arrestua nga Policia e Kosovës në mëngjesin e 7 korrikut. Një rreshter dhe katër zyrtarë policor janë të dyshuar për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, ndaj të cilëve sot u mbajt seanca dëgjimore në degën e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Për këtë rast, ka folur për Periskopin ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Reshat Maliqi.
Maliqi kritikoi ashpër caktimin prej tre muajsh për kryerjen e Akademinsë Policore, për çka thotë se mund të jetë ndër shkaktarët kryesor për dështimet e zyrtarëve policor.
“Problemi kyq i cili ka zgjedhje shumë të shpejtë në Policinë e Kosovës është kohëzgjatja e trajnimit bazik. Kohëzgjatja e trajnimit aktualisht është tre muaj, besoj që është afat shumë i shkurtër. Në të kaluarën kemi pas faza të ndryshme të trajnimit, 6 mujor, 8 mujor dhe besoj që asnjëra prej tyre nuk ka mjaftu e most ë flasim për këtë 3-mujor që ata nuk kanë mundësi edhe të njifen mirë mes vete zyrtarët policor e leje të përgatiten e të dalin të kryjnë punë shumë specifike, shumë punë të ndishme në teren në mbajtje të rendit dhe sigurisë së vendit. Menaxhmenti duhet urgjentisht të ulet dhe të bisedojnë për këtë afat”, u shpreh ai.
Maliqi shtoi se Kosova nuk është në fazë emergjente për të ‘prodhuar policë çdo tre muaj, domosdoshmërishtë”, duke shtuar se vendi ka më tepër policë se të gjitha shtetet tjera për kokë banori.
“Personat që janë në ndikim ndaj alkoolit, drogës nuk ka nevojë që ndaj tyre të përdoret ndonjë forcë sepse vet alkooli e ka bërë të vetën dhe nuk kanë ndonjë fuqi kumedit sa që të reagojnë ndaj Policisë” – tha Maliqi.
“Është mungesë të stafit menaxhues në të gjitha nivelet. Kjo mungesë është në të gjitha gradat, unë nuk e di a është duke ndikuar politika që s’po i lejon të zhvillohen por duhet të ju japin hapësirë të zhvillohen teste për të gjitha gradat. Policia e Kosovës e ka kontrollen e brendshme dhe e kanë mundësinë të shqiptojnë masa disiplinore para se të merret IPK”, u shpreh Maliqi.
Policia kishte ndaluar Agon Zejnullahun për shkak të dyshimeve se ishte dehur dhe po sulmonte kalimtarë/automjete në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan .
Pamjet nga kamerat e sigurisë dhe të kalimtarëve të rastit tregojnë momentin kur policët e lidhin dhe më pas e bartin me një ambulancë.
Sipas vëllait të tij, Albanit, policët “i vendosën këmbë në kokë, e lidhën për pranga dhe nuk e lëshuan derisa ndërroi jetë”.
Instituti i Mjekësisë Ligjore ka thënë se është kryer autopsia për Agon Zejnullahun, por mostrat për analizë janë dërguar në Maqedoninë e Veriut. Sipas raportimeve, mostrat janë dërguar jashtë shtetit si shkak i mosfunksionimit të laboratorit të Toksikologjisë në IML, për shkak se i njëjti është i dëmtuar qysh prej kohës kur është kapluar nga zjarri
Avokati i Popullit njoftoi se ka hapur procedurë hetimore sipas detyrës zyrtare për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këto raste, si dhe për të monitoruar veprimet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.
“Ushtrimi i forcës përtej asaj të domosdoshme përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të garanperituara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha institucioni i Avokatit të Popullit.
Për këtë rast reaguan edhe ministrat në detyrë, ai i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Sveçla tha se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e një të riu në Lipjan, do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar.
“Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor, do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar”, shkroi Sveçla në rrjetet sociale.
Ndërkaq, Haxhiu tha se autopsia e të ndjerit tashmë është kryer.
“Instituti i Mjekësisë Ligjore është duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore, të marra gjatë autopsisë, në mënyrë që të përfundojë sa më shpejt raporti i autopsisë”, shkroi Haxhiu.
Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës deklaruan se ende s’e kanë pranuar raportin zyrtar nga Instituti Mjeko-Ligjor për rastin e vdekjes së 27-vjeçarit.