Ish-deputeti i Vetëvendosjes flet për koalicionet e mundshme me PDK apo LDK: Për të ardhur keq se sa të papërgjegjshme janë subjektet politike
Pas më shumë se dy muajsh, Komisioni Qendror Zgjedhor dje certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të Kosovës që u mbajtën me 9 shkurt. E para nga këto zgjedhje, ka dal Lëvizja Vetëvendosje me 42.30%. E dyta është PDK me 20.9%, pastaj LDK me 18.27% dhe AAK me 7.06%.Pas tyre vjen Lista Serbe me 4.6%.…

Lajme
Pas më shumë se dy muajsh, Komisioni Qendror Zgjedhor dje certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të Kosovës që u mbajtën me 9 shkurt.
E para nga këto zgjedhje, ka dal Lëvizja Vetëvendosje me 42.30%. E dyta është PDK me 20.9%, pastaj LDK me 18.27% dhe AAK me 7.06%.Pas tyre vjen Lista Serbe me 4.6%.
Certifikimi i rezultateve i hap rrugë konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të Qeverisë së ardhshme të vendit.
Asnjë nga partitë politike nuk ka arritur që të sigurojë numrat për të formuar qeverinë si parti e vetme, rrjedhimisht për formimin e ekzekutivit të ri koalicioni paszgjedhor është i pashmangshëm.
E në lidhje me formimin e koalicioneve s’ka pasur ende asgjë konkrete. Nga partitë opozitare thonë se meqenëse i takon si parti e parë po presin nëse VV-ja do arrij që të formojë koalicionin brenda afateve, derisa theksohet se janë takuar në mes vete- por pa ndonjë rezultat konkret. Këtu u përjashtua Lëvizja Vetëvendosje e cila thuhet se s’ka çuar ftesë për takime.
Ish deputeti i Kosovës, Fatmir Humolli ka folur për formimin e institucioneve shtetërore pas certifikimit të rezultateve.
Humolli tha se partitë politike nuk po punojnë për interesat e vendit duke i cilësuar ato si të papërgjegjshme.
“Partitë politike nuk po punojnë për interes të vendit. Është për të ardhur keq se sa të papërgjegjshme janë subjektet politike, sidomos qeveria aktuale që nuk është duke kuptuar drejt kohën dhe hapësirën se ku jemi duke jetuar e si jemi duke jetuar”, tha fillimisht ai për lajmi.net.
Ish-deputeti i VV-së, Fatmir Humolli thotë se institucionet shtetërore duhet të formohen sa më shpejt, duke thënë se në kushte normale kjo do bëhej brenda një jave.
“Në kushtet normale ish dashtë menjëherë javën e ardhshme, me kuptu realitetin objektiv partitë politike, javën e ardhshme do duhej të bëhej qeveria dhe që kjo qeveri do duhej të merrte sa më parë përsipër situatat me të cilat ndodhet sot Kosova”, shtoi ai.
I pyetur për koalicionin e mundshëm paszgjedhor që do të qeverisë vendin, ai thotë se një gjë e tillë është vështirë e parashikueshme, kurse nuk harroi kritikat as ndaj KQZ-së për vonesat në numërimin e votave.
“Nuk mund të vijmë me një parashikim të saktë. Vonesat në numërimin e votave tregon seriozitetin politik të sotëm në Kosovë”, përfundoi Humolli për lajmi.net.
Kujtojmë se tentativa e parë për formimin e Qeverisë së Kosovës i takon Lëvizjes Vetëvendosje si parti e parë. Nëse LVV dështon të formojë institucionet atëherë mandatari i dytë do jetë nga Partia Demokratike e Kosovës si subjekti i dytë në vend.
Në një konferencë për media kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza shprehi gatishmëri për formimin e institucioneve.
Ai theksoi gjithashtu se ka pasur takime në mes partive opozitare, por jo me ata nga Vetëvendosje.
Hamza tha se s’ka pasur asnjëherë vija të kuqe për ndonjë parti politike dhe se nuk kanë as tani.
Përpos kësaj Hamza deklaroi se më të përafërt edhe si shkak i programeve e sheh koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Jam i bindur se votimi do të jetë i njëjtë nga të gjithë deputetët e PDK-së. Unë e kam mbështetjen e plotë prej momentit të kandidimit prej kryetarit Krasniqi e të gjithë anëtarëve të kryesisë të PDK-së. Sa i përket krijimit të qeverisë ne kemi marrë iniciativë si PDK, i kemi ftuar i kemi takuar partitë politike. Me partinë e parë me Vetëvendosjen nuk kemi deri në këtë moment kurrfarë komunikimi zyrtar, nuk kemi marrë ftesë dhe s’kemi bërë ftesë. Realisht për shkak të programeve e bindjeve politike të proceseve për mu është e preferueshme krijimi i qeverisë me LDK-në dhe partitë e tjera të cilat kanë ulëse në Kuvendin e Kosovës”./Lajmi.net/