Ish-deputeti Danush Ademi flet për lajmin, tregon se si u sulmua në ditën e zgjedhjeve: Më sulmoi Qazim Rrahmani me 50 veta

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Danush Ademi, është sulmuar fizikisht në ditën e zgjedhjeve në fshatin Dubravë të Ferizajt. Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës dhe është cilësuar si “sulm”, ndërsa personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt, pas intervistimit. Ademi, në një prononcim për Lajmi.net, ka thënë se sulmi ndaj tij…

Lajme

14/10/2025 13:01

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Danush Ademi, është sulmuar fizikisht në ditën e zgjedhjeve në fshatin Dubravë të Ferizajt.

Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës dhe është cilësuar si “sulm”, ndërsa personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt, pas intervistimit.

Ademi, në një prononcim për Lajmi.net, ka thënë se sulmi ndaj tij ka qenë i planifikuar, me qëllim që ai dhe komuniteti që përfaqëson të mos marrin pjesë në zgjedhje.

“Pasi që ka qenë e planifikuar qe ne të mos dalim në zgjedhje, kërkojmë përsëritje të zgjedhjeve në dy shkolla, sepse votuesit tanë nuk kanë votu. Kam qenë në shtab, në zyrët tona të Unionit Demokratik të Ashkalinjve të Kosovës. Aty kemi qenë diku 2 a 3 vetë, sepse njerëzit e mi kanë qenë në terren. Kam dalë prej veturës për të marrë gruan, sepse kemi pasur të shkojmë për të votuar, ashtu në mënyrë të organizuar,” tha Ademi.

Ai ka theksuar se për këtë sulm fajtor e konsideron Qazim Rrahmani, nga radhët e PDAK.

“Aty kanë ardhur një turmë prej 50 vetash, në krye me Qazim Rrahmanin, dhe familjarët e tij babain e tij Sylejmanin, pastaj Benjamini, Irfani, Enis Rrahmani dhe Agim Rrahmani. Kur kam dalë prej veturës më kanë sulmuar. Unë kam qenë duarthatë, kam qenë i papërgatitur sepse nuk nuk dal me u rrehë me njerëz. Arsyeja e këtij sulmi është ne kemi qenë më përpara me vota dhe qëllimi ka qenë për të na ndalur të dalim e të votojmë”, tha Ademi.

Tutje, Ademi tha se kanë informuar KQZ-në për rastin dhe do të kërkojnë përsëritje të votimit në disa vendvotime, pasi sipas tij, një pjesë e madhe e komunitetit nuk ka mundur të ushtrojë të drejtën e votës.

“Rasti është paraqitur në polici dhe në KQZ. Ne do të kërkojmë nga KQZ-ja të përsëritet votimi sepse disa fshatra të komunitetit tonë nuk kanë votuar fare, ju ka pamundësuar votimi,” theksoi ai./Lajmi.net/