Ish-ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli i bashkohet LDK-së
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ish-ambasadori i Kosovës, në Kroaci, Gëzim Kasapolli i është bashkuar LDK-së. Ai ka thënë se Kasapolli, ka më shumë se dy dekada përvojë të qëndrueshme në institucione vendore e ndërkombëtare, ku ka ndërtuar një profil unik profesional, nga shërbimi diplomatik, tek proceset kyçe shtetformuese dhe zhvillim i…
Lajme
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ish-ambasadori i Kosovës, në Kroaci, Gëzim Kasapolli i është bashkuar LDK-së.
Ai ka thënë se Kasapolli, ka më shumë se dy dekada përvojë të qëndrueshme në institucione vendore e ndërkombëtare, ku ka ndërtuar një profil unik profesional, nga shërbimi diplomatik, tek proceset kyçe shtetformuese dhe zhvillim i politikave evropiane.
“Si Ambasador i Republikës së Kosovës në Kroaci, ai ka përfaqësuar vendin me dinjitet, duke forcuar marrëdhëniet bilaterale dhe duke promovuar interesat strategjike të Kosovës në një prej kryeqyteteve më të rëndësishme të BE-së. Përpara kësaj, Gëzimi ka mbajtur pozitat më të larta në procesin e integrimit evropian: si Zëvendësministër dhe më pas si Ministër në detyrë i Integrimit Evropian. Ai ishte njeriu kyç në nisjen dhe negociimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), akti juridik më i rëndësishëm kontraktual mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Në rolin e Këshilltarit Politik në Kuvendin e Kosovës dhe më herët në Qeveri, Gëzimi ka qenë lidhja institucionale me vendet anëtare të BE-së, Parlamentin Evropian, si dhe me diplomacinë ndërkombëtare gjatë fazave kyçe të shtetndërtimit, përfshirë komunikimin me të dërguarin special të OKB-së, Kai Eide, në prag të negociatave për pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai ka thënë se LDK ka fituar një kuadër të ri që beson në vlerat e tyre, në vizionin evropian të vendit dhe në forcimin e institucioneve, shkruan lajmi.net.
“Ardhja e tij, dhe e të tjerëve pas tij, është sinjal i qartë se bashkimi rreth vlerave, seriozitetit dhe profesionalizmit është rruga përpara për të gjithë ata që nuk janë të kënaqur me gjendjen aktuale politike dhe që kërkojnë ndryshim të vërtetë. Dyert tona janë të hapura. Mirë se vjen, Gezim Kasapolli! Paç shëndet, forcë dhe përkushtim në këtë etapë të re të angazhimit tënd për Republikën”, ka shkruar Abdixhiku. /Lajmi.net/
Postimi i plotë i tij: