Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Hill fillon dëshminë në Hagë – e pranishme edhe një zyrtare amerikane

Në kuadër të Speciales në Hagë sot ka filluar deklarimi i dëshmitarit të Mbrojtjes, ish ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill. Hill nisi deklarimin e tij rreth orës 14:00, e që në transmetim tek ne starton në ora 14:45. Hill është njëri nga dëshmitarët e mbrojtjes në kuadër të ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi. Ai…

Lajme

10/11/2025 14:57

Në kuadër të Speciales në Hagë sot ka filluar deklarimi i dëshmitarit të Mbrojtjes, ish ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.

Hill nisi deklarimin e tij rreth orës 14:00, e që në transmetim tek ne starton në ora 14:45.

Hill është njëri nga dëshmitarët e mbrojtjes në kuadër të ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi. Ai fillimisht bëri betimin mbi të vërtetën e deklarimit të tij, transmeton lajmi.net.

E pranishme në seancë është edhe një përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bëhet fjalë për , Tera Garsena- zv/këshilltare ligjore e ambasadës së SHBA-ve në Hagë.

Christopher Hill është dëshmitari i radhës, pas 3 dëshmitarëve të tjerë të mbrojtjes që u paraqitën muajve të kaluar.

Hill parashihet të dëshmoj për disa ditë radhazi.

Hill është diplomat karriere dhe ka qenë i përfshirë në çështje lidhur me Kosovën, përfshirë si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara gjatë luftës në Kosovë dhe ishte i përfshirë drejtpërdrejt edhe në bisedimet në Rambuje në vitin 1999.

Ai kishte disa takime me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999. Hill, së bashku me diplomatin e lartë amerikan, Richard Holbrooke, kishin takuar përfaqësuesit e UÇK-së në Junik në qershor të ’98-ës.

Ndërsa, me ambasadorin William Walker e kishin vizituar shtabin e UÇK-së në Likoc më 13 janar të ’99-ës, për ta ndërmjetësuar lirimin e tetë ushtarëve serbë të cilët ishin zënë rob.

Diplomati Hill ishte angazhuar si pjesë e Grupit të Kontaktit për të gjetur një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë gjatë takimeve në Rambuje të Francës.

Megjithatë, bisedimet në Rambuje përfunduan pa sukses, pasi pala serbe nuk pranoi ta nënshkruante marrëveshjen, duke nxitur NATO-n ta kryejë një fushatë 78-ditore të bombardimeve ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit./Lajmi.net/