Isa Mustafa pranon humbjen
Isa Mustafa pranon humbjen në garën për Kryetar të Prishtinës. Mirëpo, thotë se LDK është fituese në nivel qendror.

Lajme
Isa Mustafa ka humbur në Prishtinë dhe ai e ka pranuar këtë.
Megjithatë, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë si partia fituese në nivel qendror.
Kryetari i LDK’së, njëherësh edhe Kandidati kësaj partie për Kryetar Prishtinës, ka falënderuar qytetarët e Kryeqytetit për votën e dhënë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës del partia e parë në Kosovë, prandaj ne mund të konstatojmë se LDK’ja është fituese e zgjedhjeve në të gjitha komunat e mëdha”.
“LDK’ja është rikthyer dhe tani është partia më e madhe në Republikën e Kosovës”.
“Mirëpo nga të dhënat që i kemi marrë deri më tani, nuk mund të themi se kemi marrë rezultat të mirë edhe në Prishtinë. Por, unë falënderoj gjithë qytetarët e Prishtinës që më kanë dhënë besimin në mandatin e deri më tanishëm si të gjithë ata qytetarë që më kanë votuar sot”.
“Po ashtu, dëshiroj të falënderoj qytetarët në gjithë vendin për kulturën e lartë që kanë treguar sot dhe gjatë gjithë fushatës që nga fillimi i fushatës”.
“Konsideroj se fitorja më e madhe është ky proces i rregullt i cili është përfunduar”.