Isa Mustafa po heziton të rikandidoj për kryetar të Kuvendit

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili u zgjodh Kryetar i Kuvendit, por këtë post ja mohoi Gjykata Kushtetuese, po heziton që në vazhdimin e seancës konstituive të kandidohet sërish, edhe pse blloku opozitar LDK-AAK-Nisma janë deklaruar se do të votojnë njëjtë sikurse në seancën konstituive të 17 korrikut.  

Lajme

31/08/2014 22:14

Gjykata Kushtetuese e vlerësoi si kundër-kushtetues vendimin e Kuvendit të 17 korrikut, ku Isa Mustafa u zgjodh kryeparlamentar, dhe këtë të drejtë ja rezervoi vetëm PDK-së, si grupi më i madh parlamentar i dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit.

Vendimi është kundërshtuar fuqishëm nga blloku opozitar LDK-AAK-Nisma (LAN) dhe Vetëvendosje, duke e cilësuar Gjykatën Kushtetuese si institucion të kapur nga partia në pushtet.

Ata pavarësisht vendimit të Kushtetueses, kanë deklaruar se në vazhdimin e seancës konstituive e cila pritet të thirret javën e ardhshme, sërish do ta votojnë Isa Mustafën për kryetar të Kuvendit.

Por burime të lajmi.net brenda LAN-it, kanë bërë të ditur se Mustafa është duke hezituar që të rikandidoj për kryetar të Kuvendit, pasi në këtë rast, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është edhe më qartë se nuk do të arrijë që ta ushtrojë këtë post.

“Ai po heziton pasi kjo mund ta dëmtoj kredibilitetin e tij politik si lider i partisë së dytë më të madhe në vend. Marrja e postit të kryeparlamentarit dhe rrëzimi më pas nga Gjykata Kushtetuese, nuk është se ka reflektuar mirë. Nëse e njëjta situatë do të përsëritej edhe një herë, nuk do të dukej serioze. E natyrisht që për një kryetar partie të madhe siç është LDK-ja, kjo do të ishte kontraproduktive”, ka thënë ky burim.   

Edhe pse udhëheqës të partisë së tij kanë thënë se sërish do ta zgjedhin Mustafën për kryetar të Kuvendit, ky i fundit nuk ka folur drejtpërdrejtë për këtë temë.

Ai e ka kundërshtuar vendimin e Kushtetueses dhe ka thënë se e drejta është në anën e tyre, pasi pavarësisht se PDK ka dalë partia e parë, pjesa e tjetër e partive kanë shumicën e votave. (lajmi.net)