Isa Mustafa për mini-reformë zgjedhore

Isa Musafa preferon që reforma zgjedhore të përfundojë me disa çështje që tashmë janë zgjidhur, ose janë në proces që të zgjidhen. Por, çështjet e mëdha të reformës ai mendon të mos hapen fare, për shkak të domosdoshmërisë për ndryshime në Kushtetutë.

Lajme

07/12/2013 06:06

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, po e sheh që nuk ka kohë për të bërë reformë të mirëfilltë zgjedhore.

Kreu i opozitës në Kosovë, që ditë më parë tha se dita e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë nuk është e largët, mendon që reforma zgjedhore të përmbyllet me çështjet për të cilat janë pajtuar liderët politikë në takimet e tyre të përbashkëta dhe të mos hapen çështje të reja të cilat do të ërkonin ndryshime kushtetuese.

“Në takimet me liderët e subjekteve politike kemi arritur pajtueshmëri për disa çëshjte të reformës zgjedhore, të cilat përpos shkurtimit të kohës së fushatës, nuk ndryshojnë esencialisht nga ato që tani janë të rregulluara me Ligj”, ka shkruar Isa Mustafa, në profilin e tij në Facebook.

“Hapja e disa çështjeve tjera të reformës, do të implikonte ndryshime kushtetuese, për të cilat në këtë periudhë të përfundimit të mandatit të këtij Kuvendi dhe faktit se pozita ka një shumicë të brishtë, vështirë se mund të arrihet pajtueshmëri e shpejtë dhe të arrihen afatet për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme”.

“Prandaj, mënyra më efikase e përmbylljes së procesit të reformës është që ajo të përkufizohet në zgjidhjet e tanishme kushtetuese”.

Sipas tij, dy raundet e zgjedhjeve lokale në Kosovë, të mbajtura më 3 nëntor dhe 1 dhjetor, kanë dëshmuar se kur vepron ligji dhe kur institucionet e Republikës së Kosovës e bëjnë punën e tyre, procesi zgjedhor mund të kryhet sipas standardeve.

“Fakti që në këto zgjedhje nuk u shënuan parregullësi, të cilat do të kontestonin rezultatin dhe legjitimitetin qytetar të tyre, na bën të sigurt se edhe zgjedhjet nacionale mund të zhvillohen me standarde të larta, nëse institucionet do të veprojnë sipas ligjit”, ka thënë Mustafa.

Bashkësia ndërkombëtare në mënyrë të përsëritur u ka bërë thirrje liderëve të Kosovës që ta përfundojnë reformën e nisur zgjedhore, ndërsa të njëjtën e kanë vendosur si parakusht për rrugën e Kosovës drejt integrimeve europiane.