Isa Mustafa në përkrahje të protestës për çlirimtarët në Hagë: Sikur ta kisha shëndetin, me 7 gusht do të isha edhe unë në shesh

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa me anë të një postimi ka dal në përkrahje të protestës nesër që organizohet nga organizatat e dala nga lufta në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, nën akuza të Gjykatës Speciale. Mustafa në postimin e bërë ka thënë se “Gjykata Speciale u themelua…

Lajme

06/08/2025 08:59

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa me anë të një postimi ka dal në përkrahje të protestës nesër që organizohet nga organizatat e dala nga lufta në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, nën akuza të Gjykatës Speciale.

Mustafa në postimin e bërë ka thënë se “Gjykata Speciale u themelua me bindje se do të marrin dënimet e merituara njerëzit për të cilët faktohet se kanë kryer krime.

Askujt s’do ti shkonte mendja se në vend të kësaj, bartësit kryesor të luftës për të mbrojtur pragun e shtëpisë, me rol kyç në Rambuje, në bisedat e Vjenës, në shpalljen e pavarësisë; në kundërvënien ndaj depërtimit me dhunë të një milion shqiptarëve nga Kosova, do të cilësoheshin si ndërmarrje e përbashkët kriminale”, transmeton lajmi.net

Tutje, ai tha se po ta kishte shëndetin, edhe ai do të ishte nesër në protestë.

Postimi i plotë:

Të nderuar miq
Është detyrë e gjithë neve të mbrojmë vlerat e luftës, dhe të mos lejojmë të rishkruhet historia me dëshmi të instrumenteve të pushtetit serb që ushtroi dhunë, represion dhe gjenocid në Kosovë. Shteti i Kosovës është rezultat i rezistencës politike të drejtuar nga Presidenti Rugova dhe i luftës së UÇK-së. Është vlerë e përbashkët. Ne kemi pasur besim në drejtësinë ndërkombëtare kur Kuvendi i Kosovës votoi themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë me ligje të Kosovës. Jam dëshmitar se këtë besim të plotë e kanë pasur edhe Presidenti Thaçi dhe Kryeparlamentari Veseli, me të cilët kam punuar asokohe. Gjykata u themelua me bindje se do të marrin dënimet e merituara njerëzit për të cilët faktohet se kanë kryer krime. Askujt s’do ti shkonte mendja se në vend të kësaj, bartësit kryesor të luftës për të mbrojtur pragun e shtëpisë, me rol kyç në Rambuje, në bisedat e Vjenës, në shpalljen e pavarësisë; në kundërvënien ndaj depërtimit me dhunë të një milion shqiptarëve nga Kosova, do të cilësoheshin si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Prandaj veteranët e luftës meritojnë solidarizim dhe përkrahje nga të gjithë për një kauzë të drejtë! Një kërkesë paqësore për drejtësi të mirëfilltë! Me Thaçin, Veselin, Krasniqin, Selimin, kemi qenë kundërshtarë politik. Kemi garuar se kush e bënë Kosovën më mirë. Por, në këtë rast, sikur ta kisha shëndetin, me 7 gusht do të isha edhe unë në Shesh. IM./lajmi.net/