Isa Mustafa ia tregon vendin Ilir Dedës

Isa Mustafa zbulon se Ilir Deda ka kërkuar takim me të, në mënyrë që të gjendet një formë bashkëpunimi për zgjedhjet e ardhshme me LDK’në. Deklarimet e fundit të Ilir Dedës i quan hipokrizi. Thotë se njerëz të tillë me dy fytyra nuk i duhen LDK'së.

Lajme

14/02/2014 22:10

Isa Mustafa i është përgjigjur Ilir Dedës, i cili kishte thënë për të se nuk personifikon politikanin që mund të qeverisë Kosovën, duke qenë se e kishte humbur Prishtinën për shkak të keqmenaxhimit.

Lideri i LDK’së, gjatë një interviste për RTK’në, i ka quajtur hipokrizi deklarimet e Drejtorit të KIPRED, duke rrëfyer pastaj një ngjarje që publiku nuk e kishte ditur.

Ilir Deda së bashku me Lulzim Pecin kishin kërkuar takim me Isa Mustafën, me qëllim që të arrihet një modalitet që Deda të hynte në zgjedhje me LDK’në.

“Kjo e Dedës më duket pak hipokrizi, t’ju  them të drejtën. Sepse, Ilir Deda ka ardhur tek unë në gjysmën e dhjetorit të vitit të kaluar, ka kërkuar, nuk e kam thirrur unë, ka kërkuar që të takohemi. Ka ardhur tek unë në zyre, me një koleg të tij, dhe kanë ofruar që të bashkëpunojnë me ne”.

“Jo të aderojnë, nuk ka qenë orientimi i tyre. Po bashkëpunimi i tyre me ne, që ata së bashku me ne të futen në këto zgjedhje.”

“Ne nuk kemi biseduar lidhur me modalitetet, sepse e kemi lënë që për modalitetet të bisedojmë një herë tjetër”.

“Ai ka ardhur me Lulëzim Pecin në zyrë”.

Isa Mustafa ka shpalosur detaje të bisedës. Sipas tij, Ilir Deda i ka thënë se ai beson në fitoren e LDK’së.

Mustafa ka pohuar se pastaj ka pasur edhe një takim tjetër me Dedën, në fillim të janarit.

“Vetë fakti që ai ka ardhur tek unë, pasi që unë e kam humbur Prishtinën, do të thotë ai ka besuar në fitoren time dhe ka besuar që unë mund ta udhëheq LDK’në”.

“Ashtu siç janë shprehur në zyrën time, ata besojnë shumë se LDK do të fitojë në këto zgjedhje se LDK është ajo që do ta marrë përgjegjësinë e qeverisjes së këtij vendi”.

“Këtë në zyre e ka thënë”.

“Unë e kam dëgjuar në emision atë që e ka thënë ai tash. Mirëpo, ajo është hipokrizi, sepse nuk mund të deklarosh tjetër në zyre. Dhe, unë s’e kam thirrur atë të vijë, por ai ka ardhur me vullnetin e tij dhe kërkesën e tij. Bile, ai është ngutur dhe ka thënë që kërkon një takim urgjent sepse ka diçka urgjente të thotë”.

“Unë jam takuar edhe një herë pas kësaj me të”.

“Nuk kanë kërkuar saktë asgjë, por e kemi lënë që të ulemi edhe një herë të bisedojmë lidhur me modalitetet”.

“Jam ulur me të dhe me Lulzim Pecin në fillim të muajit janar. Kemi diskutuar dhe mund të them për korrektësi se z.Peci nuk do të angazhohet më tutje, sepse mendon që të vazhdojë në jetën e tij profesionale dhe shkencore”.

“Ndërkaq, të dy kanë dhënë vërejte pse kanë dalë në media që ata po aderojnë në LDK. Unë ju kam thënë se ne këtë s’e kemi dhënë në media, sepse ne në asnjë rast nuk e kemi publikuar takimin me ta, meqë kemi konsideruar se është një takim xhentelmen, në të cilën ne po bëjmë një marrëveshje, e cila nuk është një marrëveshje për publikun”.

“Mirëpo, assesi nuk pranojmë që dikush në mënyrë ilegale të bashkëpunojë me LDK’në, sepse LDK’ja nuk është parti ilegale, është organizatë publike. Prandaj ai që dëshiron të bashkëpunojë me ne, duhet ta thotë këtë publikisht”.

Isa Mustafa, në vazhdim të intervistës së tij për RTK, ka deklaruar se ndryshimi i fjalëve të Ilir Dedës tregon për mosstabilitetin e tij.

Ai, madje, ka tërhequr vërejtjen se njerëz jo të sinqertë dhe me sjellje të tillë karshi LDK’së nuk i duhen këtij subjekti.

“Deklaratat e tij më janë dukur vërtet hipokrite dhe të tillët nuk kanë vend në LDK.”

“Assesi nuk na duhen njerëz të tillë, që kanë sjellje të tillë karshi LDK’së.”

“Ne dëshirojmë që të kemi njerëz që kanë besimin në LDK’në, kanë besim në program, që janë të sinqertë, e jo njerëz që na vijnë me dy fytyra dhe me dy mendime”.

“Është çështje e tij dhe kjo flet për stabilitetin e tij dhe jo për stabilitetin tonë”, ka thënë Isa Mustafa në emisionin Debat në RTK.