Ironizon Haradinaj: Kur kam dhënë dorëheqje ma i mërzituri ka qenë Albin Kurti

Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj ka folur pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

Lajme

22/08/2019 11:23

Haradinaj ka thënë se e vlerëson si shenjë të pjekurisë politike votimin për shpërndarjen e Kuvendit.

“E vlerësoj si shenjë të pjekurisë politike votimin e subjekteve politike për marrëveshjen e IPA-së dhe shpërndarjen e Kuvendit. Kjo është një dëshmi e pjekjes politike, besoj shumë se qytetarët e vendit me këtë pjekuri do ta shfrytëzojnë drejtën e vet me vendos se si do të udhëhiqet Kosova në etapat e ardhshme”, ka thënë Haradinaj, raporton lajmi.net.

Tutje, ai ka shtuar se ka ditë që kjo ditë do të vijë, pasi ashtu e tregojnë edhe normat kushtetuese të vendit.

Haradinaj ka theksuar se janë të hapur për koalicion parazgjedhor me Nismës Socialdemokrate dhe AKR-në.

“Jemi te hapur për Nismën dhe AKR-në. Kosova ka dërguar një sinjal sot të pjekurisë politike me vendimin e shpërndarjes së Kuvendit. Nuk e kam të drejtën e qëndrimit në sallë, tani jam vetëm lider i AAK-së. I kam përcjell nga afër zhvillimet kam qëndruar në zyrën e grupit parlamentar të AAK-së”.

Sa i përket deklaratave të liderit të VV-së, Albin Kurti i cili tha se Haradinaj ka keqqeverisur, ky i fundit ka thënë se nuk e din pse por ditën që është dorëhequr Kurti ka qenë i mërzitur.

“Nuk e di pse por kur kam dhënë dorëheqje ma i mërzituri ka qenë Albin Kurti”, ka përfunduar Haradinaj. /Lajmi.net/