Irani s’i lejon pelegrinët e vet të shkojnë në Mekë
Mediet shtetërore iraniane raportojnë se Irani i ka pezulluar fluturimet për në Arabinë Saudite për pelegrinët e festivalit Umrah, gjatë gjithë vitit në Mekë, për shkak të dyshimeve të abuzimit seksual të dy djemve të rinj iranianë nga ana e oficerëve të sigurisë së Arabisë Saudite në aeroportin ndërkombëtar në Xheda, në muajin mars.
Bota
“Derisa këta njerëz fajtorë të mos dalin në gjykatë dhe të dënohen, Umrah do të ndalet dhe fluturimet iraniane do të pezullohen”, ka njoftuar agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve INSA, duke cituar ministrin e Kulturës së Iranit, Ali Xhanati.
Ai ka theksuar se autorët e dyshuar të keqtrajtimit ishin arrestuar nga autoritetet saudite, të cilat kanë premtuar dënimin e tyre.
Ky rast ka ndodhur në kohën e tensioneve ndërmjet Iranit dhe Arabisë Saudite për shkak të situatës në Jemen, ku sauditët e udhëheqin koalicionin, i cili po ndërmerr sulme ajrore kundër kryengritësve shiitë huthi, që dyshohet se mbështeten nga Irani.