Iraku ka angazhuar 30 mijë ushtarë për të rimarrë Tikritin

Forcat qeveritare irakiane kanë rimarrë një pjesë të madhe të pjesës veri-perëndimore të Tikritit, në betejën e nisur prej dhjetë ditësh për të çliruar qytetin nga militantët e “Shtetit Islamik”, të cilët e mbajnë të pushtuar që prej një viti.

Bota

11/03/2015 16:21

Ushtria irakiane ka ngritur flamurin e Irakut në një spital në lagjen Qadisiya, dy të tretat e të cilës janë vënë nën kontrollin e tyre, njofton BBC, raporton lajmi.net. Por militantët vazhdojnë të rezistojnë në jug dhe perëndim të këtij qyteti, që ndodhet pak më shumë se 100 kilometra larg Bagdadit.

Operacioni për të rimarrë qytetin e lindjes së Sadam Huseinit është ofensiva më e madhe e ndërmarrë na qeveria e Irakut kundër militantëve që vitin e kaluar, pas ofensivave dhe vrasjes së më shumë se 10 mijë civilëve, shpallen kalifatin e tyre në territoret e okupuara në Irak dhe Siri, të quajtur “Shteti Islamik”.

Irani vazhdon të ndihmojë Irakun për të koordinuar 30 mijë ushtarë dhe milicët e përfshirë në betejën për Tikritin, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po vazhdojnë me sulmet ajrore të herëpashershme ndaj caqeve të “Shtetit Islamik”, por jo në këtë pjesë të shtetit irakian.