Irak, sulm vetëvrasës edhe në mort!

Një ceremoni e varrimit në veri të kryeqytetit Bagdad në Irak, është goditur nga një sulm vetëvrasës, me ç’rast ka të vrarë dhe të plagosur.

Bota

29/12/2014 13:44

Zyrtarët irakianë kanë njoftuar se së paku tetë vetë janë vrarë nga sulmi afër qytetit sunit, Taxhi, 22 kilometra në veri të Bagdadit. Por, në disa raporte thuhet se janë vrarë 10 vetë, raporton RFE.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm. Megjithatë, militantët e Shtetit Islamik shpeshherë i kanë marrë në shënjestër sunitët, që bashkëpunojnë me qeverinë e Irakut, e udhëhequr nga shiitët.

Militantët e Shtetit Islamik kanë okupuar territore të gjëra në pjesën veriore dhe perëndimore të Irakut dhe pjesën veriore dhe lindore të Sirisë, ndërkohë që po ballafaqohen me sulme ajrore nga aleanca e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.