Investitorët nuk shprehin interesim për projektin “Kosova e Re”

Projekti “Kosova e Re” sërish mund të dështojë, për shkak të mosinteresimit të kompanive të parakualifikuara. Tashmë vetëm një kompani ka shprehur gatishmëri të ofertojë në këtë tender, që në vete përmban vetëm ndërtimin e një termocentrali 600 megavatësh.

Lajme

10/07/2014 10:06

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, i ka ftuar të gjitha kompanitë e parakualifikuara në një takim në Stamboll të Turqisë, shkruan “Koha Ditore”.

Është takuar me vetëm dy nga to, të cilat i janë përgjigjur ftesës. Takimin e parë e ka mbajtur me kompaninë “Countor Global”, e cila ka shprehur gatishmërinë për të investuar në projektin “Kosova e Re”.

“Ministri Ismajli takoi drejtuesit e kompanisë ‘Countor Global’, të cilët ritheksuan interesin e tyre për të investuar në TC ‘Kosova e Re’, ndërsa kërkuan më shumë informacion sa i përket mundësisë që në këtë proces të ndikojë situata aktuale politike në vend”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga MZHE-ja.