Investimet në Kosovë po pengohen edhe nga kontestet gjyqësore
Kohëzgjatja e shqyrtimit të kontesteve biznesore në gjykata mund të marrë edhe vite dhe kjo përbën një nga problemet më të mëdha që ndikojnë negativisht në klimën biznesore dhe investuese në vend. Si pasojë e moszbatimit të kontratave dhe ekzekutimit të tyre, Kosova renditet në vendin e 138-të në listën e 189 vendeve në botë.
Lajme
E krejt kjo vjen si pasojë e numrit të vogël të gjyqtarëve në Departamentin e Çështjeve Ekonomike. Në vitin 2008 ishin 203 raste të proceduara në Gjykatën Themelore, ndërsa në vitin 2014 ky numër është rritur në 885 raste. Këto të dhëna janë publikuar në memorandumin e programit të USAID-it për Përmbarimin dhe Legjislacionin Komercial (CLE), që e ka siguruar “KosovaPress”. Në këtë memorandum del të jetë problem edhe numri i vogël i gjyqtarëve, ku në Departamentin Ekonomik në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka katër gjyqtarë, njëri prej të cilëve kohë pas kohe dhe sipas nevojës transferohet në Departamentin Administrativ, të cilët nuk arrijnë të përballen me të gjitha rastet e kontesteve ekonomike. Po ashtu, edhe në Departamentin Ekonomik të shkallës së dytë në Gjykatën e Apelit, sipas USAID-it, ka dy gjyqtarë që janë afër moshës së pensionimit. Ndërsa rastet e papërfunduara në këtë Gjykatë janë 260. Në këtë memorandum janë nxjerrë edhe vlerësimet e aktgjykimeve gjyqësore.
Vlerësimi i vitit 2012 i vendimeve gjyqësore nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka gjetur që cilësia dhe parashikueshmëria e aktgjykimeve gjyqësore në çështjet tregtare në Kosovë janë përgjithësisht të dobëta. Arsyetimet e dobëta janë të shpeshta. Kjo është ndërlidhur me mungesën e njohurive dhe përvojave të gjyqtarëve në fushat e specializuara të së drejtës”, thuhet mes tjerash në këtë memorandum, i njëjti i është dorëzuar Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik.
Por, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, thotë se nuk është vetëm faji i gjyqësorit për ikjen e investitorëve të huaj. “Sa i përket kritikave, me të vërtetë në të gjitha pushtetet ka probleme, ka lëshime, mirëpo nuk është gjyqësori ekskluzivisht fajtor për investimet e huaja, për shkak se faktor të ndryshëm ndikojnë në investime.
Ndoshta edhe gjyqësori e bart atë përgjegjësinë e vet, mirëpo nuk është përgjegjësi ekskluziv për këto lëshime që po bëhen për investitorë të huaj, kur ka konteste nëpër gjykata edhe investitorë të huaj ikin, do të thotë nuk është fajësia e gjyqësorit. Megjithatë, ne jemi duke bërë përpjekje, jemi gjyqësor i ri kemi nevojë për profesionalizëm, ngritje të kualitetit. Po mundohemi të shkojmë dalëngadalë. Nuk mundet të bëhet brenda ditës. Prej vitit 2013 nuk është kohë e gjatë që është dashur për të funksionuar në mënyrë normale, por po bëjmë përpjekje për t’i përfunduar më shpejt”, tha Peci. Ndërsa, sa i përket trajtimit të lëndëve nga gjyqtarët të specializuar në fushat ekonomike në Departamentin e Çështjeve Ekonomike, që është në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Peci thotë se nuk kanë gjyqtarë ekonomikë dhe nuk kanë të drejtë të kërkojnë.