Investimet e huaja shënojnë rritje

Në vitin 2013, në Kosovë janë regjistruar 694 biznese të huaja, dhe vlera totale e investimeve të huaja kap shifrën e 205 milionë eurove. Investitorët vijnë kryesisht nga Turqia dhe Gjermania.

Lajme

14/01/2014 10:59

Në vitin 2013 është shënuar rritja e investimeve ndërkombëtare dhe rritja e bizneseve të huaja të regjistruara në Kosovë.

Në periudhën janar-shtator të vitit 2013, vlera totale e investimeve të huaja ka arritur shumën prej 205 milionë eurosh që krahasuar me vitin 2012 ka pasur rritje prej 15 %, raporton Radio Evropa e Lirë.

Udhëheqësi i Agjencisë për Promovimin e Investimeve, thotë se viti 2013 ka qenë lajm pozitiv për ekonominë e Kosovës. Ai thotë se në vitin 2013 janë regjistruar 694 biznese të huaja.

“Në vitin 2012 kemi pasur 534 biznese të huaja të regjistruara, kurse në vitin 2013 kemi pasur të regjistruara gjithsej 694 biznese të huaja të regjistruara në vend. E cila tregon një rritje prej 30 për qind të bizneseve të huaja të regjistruara në Kosovë”.

“Pra besoj se këto të dyja paraqesin një lajm pozitiv për lëvizjen e investimeve të huaja në vend”.

Lluka thotë se sektori që kanë qenë më tërheqës për investitorët e huaj është sektori i patundshmërisë.

“Sektorët të cilët kanë qenë atraktiv kanë mbetur po thuajse të ngjashëm, janë patundshmëria, energjetika, ndërtimtaria, sektori financiar dhe kështu më radhë”.

“Mund të them se një rol të rëndësishëm të këtyre investimeve luan edhe diaspora shqiptare që janë jashtë Kosovës, të cilët vazhdojnë të investojnë në ndërtimtari dhe patundshmëri që Kosova ofron për momentin”.

Vendet që prinë me investime në Kosovë janë Turqia e pasuar nga Gjermania. Pastaj vjen Zvicra, Shqipëria dhe Britania e Madhe.

Vetëm në periudhën janar-gusht 2013, numri i të punësuarve nga investitorët e huaj ka kapur shifrën e 834 njerëzve. E prej këtij numri, përqindja më e madhe e tyre kanë qenë të punësuar në sektorin e ndërtimtarisë.