Investimet e amerikanëve në Kosovë, jo për mbushje të xhepave të politikanëve

Bizneset amerikane kanë më shumë interes se kurrë më parë që të investojnë në Ballkanin Perëndimor, është konstatim i një zyrtari amerikan që ka vizituar Ballkanin dhe Kosovën vitin e kaluar.

Lajme

09/03/2015 20:09

Mirëpo investimi amerikan dhe perëndimor në Kosovë dhe në rajon në radhë të parë varet nga progresi që shënon Kosova në zbatimin e rendit dhe sundimit të ligjit, raporton korrespodenti i RTK-së nga SHBA-të.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në rrugën e saj të ndërtimit të një shteti stabil, demokratik dhe ekonomikisht të qëndrueshëm në Evropë. Që nga viti 1999, SHBA-të kanë ndihmuar Kosovën me projekte të ndryshme në shumë prej 1 miliard dollarësh, ndërkaq vazhdimësia e ndihmës do të jetë pjesë integrale e progresit dhe zhvillimit të mëtejmë paqësor, demokratik dhe ekonomik, si një shtet i mundësive për secilin”, thekson një zyrtar i Departamentit të Shtetit i njoftuar me mbështetjen amerikane shtetit të ri.

Kur bëhet fjalë për investimet amerikane, progresi i mëtejmë është rrënjësisht i lidhur me çështjen e sundimit të ligjit. Investitorët amerikanë do të investojnë në Kosovë, nëse ata e dinë se investimi i tyre do të jetë i mbrojtur nga ligjet e zbatueshme pa asnjë preferencë politike.

Investitorët nuk do të vijnë në Kosovë nëse ata besojnë se ka politikanë të cilët mbushin xhepat e tyre duke shfrytëzuar pozitën që kanë në pushtet, thekson ky zyrtar.

Kosova ka një të ardhme ekonomike dhe për rritjen e investimeve, por varet dhe është zgjedhje e popullit dhe e udhëheqësve të saj nëse duan që vendi të ketë një ekonomi të lulëzuar, një zhvillim si një partner me shtetet që po hyjnë në ekonominë euro-atlantike.

“Çdo gjë varet nga sundimi i ligjit dhe hapat që do të ndërmerren gjatë muajve dhe viteve të ardhshm”, tha ky zyrtar amerikan. (Rtklive)