Intervistë/ Gashi: Kuvendi s’mund ta shfuqizojë Specialen, priten ende ftesa të figurave të larta politike
Specialja e ka pezulluar për pak kohë punën e saj si rrjedhojë e përhapjes masive të virusit COVID-19. Aktualisht në këtë institucion është duke punuar vetëm një pjesë e stafit, teksa pjesa tjetër janë në shtëpi. Në lidhje me punën e këtij organi ndjekës, intervistimet, aktakuzat dhe shfuqizimin e saj në një intervistë për lajmi.net, përmes rrjetit Skype ka folur avokati i njohur, Tomë Gashi.

Lajme
Gashi në këtë intervistë ka thënë se koronavirusi e ka ndërprerë punën e Speciales në aspektin e ftesave, dhe se kjo mund të quhet si një lloj përfitimi i vogël i Kosovës në këtë fatkeqësi.
“Koronavirusi ka bërë ndërprerjen e punës së Speciales në aspektin e ftesave. Prej momentin që pandemia është bërë publike, ne nuk kemi pasur asnjë ish-ushtar të ftuar nga Gjykata Speciale, dhe ky është lajm i mirë. Pra po i bije se në këtë lloj pandemie apo sëmundje që e ka kapluar të gjithë botën ne kemi përfituar në një mënyrë se nuk kemi asnjë të ftuar nga Gjykata Speciale”, ka thënë Gashi
Lidhur me ngritjen e aktakuzave, Gashi ka thënë se askush s’mund t’i dijë emrat e të akuzuarve para konfirmimit të tyre.
“Ato akuza janë dërguar javë më parë, mirëpo deri në momentin që gjyqtari i konfirmon ne nuk i dijmë emrat të cilët janë akuzuar. Pra është lajm që aktakuzat janë ngritur por nuk janë bërë publike. Pra, nëse akuzat konfirmohen atëherë bëhen publik edhe emrat”, ka thënë Gashi
Gashi tutje ka thënë se konfirmimi i aktakuzave, është një lloj rrjete e gjyqtarit se nëse duhet të procedohet në gjykim apo jo.
Ai pret që edhe seancat të nisin brenda një kohe të arsyeshme.
“Nëse akuzat konfirmohen, nëse është një lloj rrjete se a ka arsye apo jo që të shkohet në gjykim, nëse konfirmohet, gjykimet do të fillohen në kohën e arsyeshme. Kjo e ka ndalur punën e Speciales në kuptimin kohor, mirëpo jo që Gjykata është suspenduar”, ka thënë tutje ai.
Megjithatë, avokati Gashi ka thënë se virusi nuk e ka ndalur punën e Speciales, dhe se nëse një prokuror konsideron se intervistimi duhet të kryhet me patjetër, kjo mund të bëhet edhe në Kosovë.
Gashi tutje ka thënë se pritet që pas përfundimit të situatës me pandeminë, të ketë edhe ftesa për figura të profilit të lartë.
“Koronavirusi nuk e ka ndalur punën e Speciales. Por një numër i stafit është duke punuar në shtëpitë e tyre për shkak të standardeve që janë shumë të larta në ruajtjen e shëndetit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit tjetër që punon aty. Mirëpo, ata nuk e kanë problem që të dërgojnë ftesa, dhe persona të caktuar mund të intervistohen edhe në territorin e Kosovës. Për shkak të mbylljes së kufijve, nëse prokurori mendon që ftesa mund të bëhet për në Hagë, atëherë do të ishte e pamundur të ndodhë një gjë e tillë. Ne në të ardhmen presim që të ftohen edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë, për shkak që emri i tyre figuron në raportin e senatorit zviceran”, ka thënë Gashi.
Avokati ka folur pak edhe për dukurinë e ikjeve nga ftesat e Speciales, për të cilën ka thënë se nuk është dukuri pozitive dhe mund të jetë me pasoja në të ardhmen.
Sipas tij, askush nuk mund të ikë nga Specialja.
“Kjo është cështje personale, mirëpo nuk është fare mirë. Të gjithë duhet të luftojmë kundër Speciales me mjete juridike. Specialja është e dëmshme për Kosovën, por kjo nuk do të thotë që dikush mund të ketë një ikje nga Specialja sepse thuajse është e pamundshme. Kjo mund ta sjellë një situatë të re, ku persona të caktuar mund të arrestohen për t’u dërguar për intervistim. Specialja deri tani ka dërguar 200 ftesa për ish-ushtarë të UÇK-së. Dikush i ftuar në Speciale, në mënyrë automatike nuk e bën të akuzuar, mund ta bëj të dyshuar ose dëshmitar, pra këshilla është që të gjithë të lajmërohen sepse kjo është rruga e vetme që kanë zgjedhur deputetët e Kosovës që votuan një gjykatë vetëm kundër një kombi dhe raciste”, ka thënë ndër të tjera Gashi.
Në fund, ai ka folur edhe për mundësinë që Kuvendit ta stopojë punën e Gjykatës Speciale në atë formë që mos t’ia vazhdojë mandatin.
Ka thënë se këto janë çështje politike, mirëpo që nuk kanë asnjë efekt juridik, dhe se sipas tij askush s’mund ta stopojë punën e këtij organi ligjor.
“Këto janë çështje politike pa asnjë efekt juridik. Unë mendoj që nëse lexohet ligji shihet se Kuvendi s’mund ta ndërprejë punën e Speciales, ngase mandatin e ka marrë nga ky Kuvend, mirëpo Kuvendi nuk është i paraparë që mund ta ndërprejë punën e saj. Pra Kuvendi mund t’ia ndërprejë punën vetvetes në momentin që e shohin se s’ka kurrfar efekti që të merren me çështje të caktuara penale. As deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk mund ta bëj mos-vazhdimin e mandatit apo ndërprerjen e punës së Speciales sepse kjo nuk kërkohet nga Kuvendi, nëse Kuvendi i Kosovës do të ishte në gjendje për t’ia vazhduar apo jo, unë besoj se jo 82 deputetë, por besoj që shumica shqiptare do të ishin kundër kësaj gjykate, sepse e kanë pa që gjykatat nuk sjellin asgjë të mirë”, ka thënë në fund ai. /Lajmi.net/
VIDEO:
