Intervistë ekskluzive/ Ikballe Huduti flet për arrestimin e saj, lidhjet me Iranin dhe angazhimin në Vetëvendosje

Ikballe Huduti-Berisha u arrestua më 7 janar të këtij viti. Akuzat që rëndojnë mbi të nga Prokuroria janë të rënda teksa ajo dyshohet për shtytje në terrorizëm. Gjithçka ndodhi pas postimeve të saja kundërshtuese për aksionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vrasjen e gjeneralit iranian, Qaseem Soleimani. Ikballe Huduti-Berisha për herë të parë, ekskluzivisht për lajmi.net ka folur nga arresti shtëpiak për postimet që nxitën reagimin e opinionit publik, mendimet për SHBA-të si dhe trajtimin që i është bërë në qendrën e paraburgimit.

Lajme

01/03/2020 19:13

Ikballe Huduti-Berisha u bë cak i kritikave nga opinioni për shkrimet në profilin e saj privat në Facebook, në fillim të këtij viti, shkruan lajmi.net.

Ajo nuk përkrahi vrasjen e gjeneralit iranian nga SHBA-të, dhe me këtë qëndrim doli haptaz, për çka pati reagime të mëdha në opinion dhe pas bujës që u shkaktua, Huduti-Berisha u arrestua.

Në intervistën ekskluzive për lajmi.net, ajo thotë se as nuk e ka menduar se do të bëhet cak, apo siç e quan ajo viktimë e shprehjes së mendimit të lirë.

Berisha – Huduti për herë të parë sqaron se cilat janë lidhjet e saja me Iranin, të cilat ajo thotë se janë veç në kontekstin kulturor dhe religjioz dhe se nuk kanë lidhje me politikën. Tutje Huduti-Berisha, e cila është në arrest shtëpiak, ka folur edhe për trajtimin që ju është bërë në qendrën e paraburgimit, teksa ka treguar momentet dramatike kur ishte dërguar në sallën e gjyqit.

Në intervistën e Huduti-Berisha flitet edhe për takimin e parë që ka pasur me Albin Kurtin, Shpend Ahmetin si dhe rolin që kishte pasur në të kaluarën në Vetëvendosje.

Lajmi.net ua sjell më poshtë intervistën e zhvilluar me Igballe Huduti – Berishën:

Lajmi.net: Në opinion emri juaj u bë i njohur me postimet tuaja kundër vrasjes së gjeneralit Iranian,  për çka shteti i Kosovës u pozicionua fuqishëm në përkrahje të këtij aksioni! Prokuroria këto postime po i cilëson si shtytje në kryerjen e veprave terroriste! Rrjedhimisht, cili ka qenë qëllimi i postimeve në fjalë, dhe a jeni penduar për të njëjtat.

Ikballe Huduti-Berisha: Duke pasur parasysh se Kosova është shtet i ri demokratik, ku mendimi dhe shprehja e lirë duhet të respektohet dhe vlerësohet, sidomos kur ai mendim vije nga persona intelektual të cilët çdo ndodhi e konceptojnë nga këndvështrimi kritik konstruktiv, unë morra  guximin dhe shpreha mendimin tim pa hezitim, duke mos pritur se unë do të bëhesha siç jam sot, viktimë e shprehjes së mendimit tim të lirë. Mirëpo, nëse bazohemi edhe në postimet tjera të po asaj dite,  lexuesit e kanë kuptuar se ka shumë mesazhe humane, paqedashëse, shpresëdhënëse, zbutje shpirtërore,  (që të mos lindin konflikte luftarake) një lloj siç e dha mesazhin edhe  Shkëlqesia e tij Papa në Vatikan.

Shkrimtarët, ideologët zakonisht ndikohen nga një motiv i vogël që mund të ndodhë në shoqëri  apo nga ndonjë frazë urtësie. Unë jam përcjellëse e rregullt e agjencive  prestigjioze të informimit, siç janë BBC, CNN, AL XHEZIRA,  PRESS TV si dhe nga portalet në FB siç është SOAPBOX e tjera, kështu pra edhe unë  u preka nga kjo ngjarje si shumë mendimtarë tjerë si FIlip Gordoni, Koordiantor i Shtëpisë së Bardhë i cili e tha hapur mendimin dhe ndër të tjera tha;   “……hakmarrja pritet, një zinxhir veprimesh dhe hakmarrjesh priten….”

Qëllim nuk kam pasur, sepse për të pasur një qëllim duhet të krijosh një strategji apo plan program,  por ishte shprehja ime e lirë në profilin tim në FB , ishte vetëm një ndjenjë dhembshurie dhe frike se do të dalin konflikte serioze në Lindje sepse i kisha të njohura relacionet armiqësore të këtyre dy shteteve.

Postimet e mia në Facebook nuk ishin thirrje në hakmarrje, as mesazh për njerëzit, vetëm se e kanë dhënë një mendim konstruktiv, sepse edhe në deklaratat e ndryshme lidhur me të Drejtat  Humane ceket shumë mirë se  “violence begets violence” . Me një fjalë opinionet e mia që jepen në Facebook asnjëherë nuk janë thirrje as mesazhe për ndonjë masë të caktuar të shoqërisë sepse unë nuk jam lidere e askujt pos e mendimeve të mija. Por për fat të keq fabrika gazetareske në Kosovë (jo të gjitha portalet dhe gazetarët) e kanë arritur qëllimin e tyre intriguese  sipas filozofisë paradoksale që ”e kthen të keqen në të mirë dhe e keqja bëhet e mirë apo të mirën e kthejmë në të keqe dhe e mira na duket e keqe.” Mediat e kishin bërë të vetën por më e keqja e kësaj ishte se prokurori A.S ishte bazuar në portalin Sinjali dhe të tjerë të cilët e kishin vendosur në ballinë një dizajnë montazhim shumë amater që ka mundur ta kuptojë një fëmijë 10 vjeçar që nuk ishte postim i imi, e sa i përket paragrafit që është shënuar nga personi i panjohur dhe gabimet falso shiheshin në shkronjën “ G” dhe “K”, profili im çdo kund është Ikballe e jo Igbale. Sidoqoftë, unë besoj shumë në Sistemin e Drejtësisë së Kosovës dhe shpresoj që kibernetika shtetërore sa më shpejt ta gjejë dorën dashakeqe të kësaj thirrje kriminale terroriste e cila edhe më ka sjell mua në këtë gjendje, paraburgimi e arrestimi por lutem që nga salla e gjykatës të përfundoj ky rast i imi duke i shtrënguar duart me fitore të dy anshme e jo të mi vënë duart në pranga, sepse unë nuk e ndiej veten aspak fajtore dhe kam ndërgjegje shumë fisnike dhe aspak nuk i brengosem veprave të mia deri më sot.

Lajmi.net: Persona të caktuar, përfshirë edhe imamin e njohur Shefqet Krasniqin, iu kishin akuzuar juve kohë më parë për lidhje të ngushta me Iranin dhe ambasadat e këtij vendi. Faktikisht, cilat janë lidhjet tuaja me këtë shtet?

Ikballe Huduti-Berisha: Për lidhjet e mia me Iranin nuk e shoh si akuzë e këtij imam Shefqetit  ndaj meje, por e shoh si një shpifje, dezinformatë dhe një intrigë që ka krijuar në gjuhë të urrejtjes në shoqëri. Nuk e shoh si një akuzë sepse ai nuk është person adekuat për të vlerësuar një shtet siç është Irani dhe një personalitet siç jam unë. Ai nuk është ndonjë faktorë politik  dhe nuk ka rol vendimmarrës për fatin e qytetareve të Kosovës. Shefqet Krasniqi dhe BIK-u nuk i  përfaqësojnë të gjithë muslimanët në Kosovës edhe pse në letër thirren si Bashkësi Islame e Kosovës.

Lidhjet e mia me Iranin datojnë që nga viti 1994 kur për herë të parë morra pjesë në një Konferencë Ndërkombëtare dhe përkujtimin e Fitores së Revolucionit Islamik.  Në Iran kam vajtur mëse 20 herë, pothuajse të gjitha shkuarjet e mia kanë qenë ftesa në pjesëmarrje nëpër konferenca , festivale si dhe seminare shkencore. Në vitin 2006 kam qenë e graduar si kampione e Ballkanit  me medalje të artë ( 5 lirëshe)  nga vetë i nderuari Dr. Ahmed Nexhat i cili ishte president i asaj kohe. Konferenca është quajtur International Comference for Quranic Scolar” unë jam graduar si mësuesja më e mirë e Kuranit në Ballkan, sepse nga puna time që nga mosha 20 vjeçare kam nxjerrë shumë gjenerata që kanë mësuar shkrim leximin e gjuhës arabe dhe pastaj vazhdimin e studimit të Kuranit.

Lidhjet e mia kryesisht janë lidhje kulturore dhe religjioze por nuk kanë pasur tendenca politike sepse unë tërë jetën time ia kam kushtuar ngritjes kulturore dhe morale të shoqërisë  me qëllim që të krijoj një kod sa më të lartë social. Prandaj, të gjitha lidhjet e mia me Iranin dhe shtetet tjera janë të dukshme dhe shumë legale sepse unë nga çdo  lidhje dhe marrëdhënie kulturore ndërkombëtare mësoj përvojat e tyre të mira për njerëzimin  që mund t’i përshtaten dhe ta bëjnë të lumtur popullin tim.

Unë si shqiptare muslimane  me Iranin  i mbajë lidhjet në aspektin kulturor dhe religjioz e jo në aspektin politik, prandaj edhe Sistemi i Sigurisë së Kosovës janë në njohuri për çdo shkuarje timen në Iran që deri tani ka arritur numrin deri në 20 vizita dhe po të isha unë ndonjë faktorë politik deri sot kisha bërë një revolucion islamik në Kosovë. Në kuadër të punës sime si punëtore shkencore  që kam kontribuar në Republikën Islamike të Iranit duke prezantuar kulturën tonë shqiptare muslimane.  Përmes punës sime dhe shumë studentëve shqiptarë që janë duke studiuar në Iran nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës kanë marrëdhënie shumë të mira me Iranin nga aspekti shkollimit, arsimit dhe ekspertimit profesional. Në trojet shqiptare veprojnë dhe punojnë, profesor, doktorë, gjuhëtarë, filozof, sociolog, teolog, regjisor filmi, gazetarë e të tjerë dhe kanë shumë suksese në punën e tyre falë ndihmës së pakushtëzuar të Iranit. Është interesante se këta studentë shumtën e rasteve nuk kthehen në Kosovë e Shqipëri por atje krijojnë familje, gjejnë vende pune që marrin rroga shumë të mira dhe kanë jetë shumë luksoze.  Të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë Irani i ka kontribuar me ndihma shumë të mëdha pas luftës së Kosovës, ka pasur ambulanten e vetë stomatologjike në Prishtinë që ka kryer të gjitha shërbimet falas për të varfrit tonë dhe më e mira e të gjithave është se në Iran mund të shkosh në vizitë pa viza pa asnjë procedurë administrative,  sepse Irani qytetaret e vendeve shqiptare i konsideron miq të vetit prandaj edhe kontribuon për popullin tonë të vogël sa një lagje e Tehranit.

Shpesh herë më pyesin pse Irani nuk na njeh si shtet të pavarur? Në fillim të vitit 2002 unë kam pasur takime edhe me njerëzit qeveritar dhe ata kanë shprehur shumë interesim për të na pranuar mirëpo në atë kohë nuk është kërkuar dhe lobuar nga Kosova që të na njohë Irani e unë nuk kam qenë pjesë e politikës nuk kam vazhduar më tutje për këtë punë dhe e kam vërejtur në bisedat e sipërme me disa qeveritarë të Kosovës se qeveria jonë ia kanë mbajtur hatrin Amerikës andaj nuk ka punuar në këtë aspekt. Më vonë relacionet politike kanë ndryshuar, mos përfillja dhe mosmirënjohja e të mirave që ka bërë Irani për popullin tonë si dhe shpifjet dhe dëmet që ia ka sjell Kosova misionarëve të Iranit në Kosovë të cilët tani bile nuk e kanë të lejuar të hynë në Kosovë, kanë sjellur një neglizhencë dhe stagnim  politik dhe Irani ka humb interesim, por kjo nuk do të thotë gjithmonë do të qëndrojë kështu. Shpresojmë dhe punojmë për një të afërme të shpejt të na njoh Irani sepse politika iraniane është e lidhur ngushtë me vlerat humane  që domethënë se dinë të fal, sepse ka shumë raste që i njohim,  si rasti i hakmarrjes së fundit ndaj bazës Amerikanë në Irak që ishte një potez shumë fisnik,  i cili në njëfarë mënyre u hakmarrë por nuk pësoi as një shpirt i ushtarëve amerikanë.  Me një fjalë për të na pranuar duhet lobuar dhe punuar sepse ne kemi interes,  po nëse e Irani e shpreh dëshirën na pranoj kjo do të thotë se do të na pranoj një paketë pranimesh të shtetesh përreth Iranit.

Gjithë këtë e thashë sa për të larguar paragjykimet tuaja,  për arsye se hoxhallarët dhe propagandat mediale nga urrejtja dhe injoranca e tyre për këtë shtet dhe për besimin tim fetarë islam, ata më kanë krijuar shumë militantë të tyre që mua ma kanë poshtëruar dhe përbuzur imazhin tim si dhe më kanë kërcënuar në jetë dhe ende nuk jam e qetë nga gojët e tyre.

Lajmi.net: Ju jeni arrestuar nga Policia nën dyshimet për veprën e lartëcekur penale, si ka qenë trajtimi në qendrën e paraburgimit që iu është bërë ju, dhe a keni pasur presion gjatë asaj kohe?

Ikballe Huduti-Berisha: Para se të shkojë në paraburgim unë kam qenë në arrestim 48 orësh në stacionin policor në Prishtinë. Është mëse e ditur se aty nuk ka kushte të mira si në hotel, por nuk kam pas ndonjë vërejtje çdo gjë ka qenë në rregull. Zyrtarët e Drejtorisë për Krime Terroriste që mua më sollën nga shtëpia në qeli dhe pastaj më nxorën pas dy dite, ata aspak nuk  i kishin punët e koordinuara. Hetuesit në mëngjes herët erdhën që të më marrin me nxitim për të vajtur në Pallatin e Drejtësisë. Unë nga kjo qeli e burgut ashtu e trazuar shkova në gjykatë në mbrojtje të një çështje jetësore timen dhe isha personi kryesor për të cilin ishte bërë gjithë ai takim ( seancë dëgjimore),  ndërsa unë nuk kisha fuqi të rrija në këmbë dhe të mbroja veten. Kjo ishte për arsye se unë as edhe një pik uji se kisha pirë e mos të flasim për ndonjë çaj apo kafshatë buke. Prandaj unë nuk hezitova u ankova avokatit tim dhe pastaj ai urdhëroi së paku një kafe të ma binin në sallën e gjykatës që të merrja pak fuqi për tu shprehur para trupit gjykues.  Seanca mbaroi, ishte hera e parë në jetë që kisha një situatë të këtillë para gjykatësve, avokatëve e prokurorëve dhe kur mbaroi seanca ishte bërë ora gati 12:00 prapë u desh të kërkojë e të më japin një sandviç  të ftohtë të cilin s’kisha të drejtë ta haja në bife por në të njëjtën sallë që prapë nuk ishte një pamje e hijshme por sidoqoftë më në fund morra pak forcë. Kjo për mua ishte tmerr sepse dy netë rresht s’kisha pirë as edhe një qaj të ngrohtë, plus edhe isha e uritur, sidoqoftë kaloi, por shpresoj që të burgosurve tjerë të mos i ndodh kjo që më ka ndodhë mua, sepse të dalësh në mbrojte të vetes për një çështje jetësore e të jesh e uritur, e etur me buzë të shkrumbuara kjo nuk ishte aspak njerëzore.

Para se të arrijë në burg mu bë një e padrejtë, sepse gazetarët si zakonisht prisnin të dilja nga dyert kryesore dhe unë e doja këtë që së paku të bëja një foto shumë domethënëse me një mesazh vetëdijësues. Personat përgjegjës hetuesit që nuk vozisin veturë policie por një BMË pa simbole, më thanë se do të ndalen së paku për një foto para gazetarëve, por edhe kësaj here më përgënjeshtruan, sepse mua më nxorën nga podrumi i  pallatit dhe dera e daljes nuk kishte asnjë gazetarë dhe kështu pra  më dërguan në Qendrën Korrektuese të Femrave në Lipjan pa u takuar as me bashkëshortin dhe birin tim të cilët kishte pritur para dyerve te Pallatit Drejtësisë së bashku me gazetarët.

Në Burgun e Lipjanit apo si i thonë QKF në Lipjan për të cilin emërtim gjithashtu jam ndier e ofenduar si grua dhe si qytetare e Kosovës. Në fillim u prita shumë mirë, ngase treguan një respekt të veçantë me siguri se më njihnin edhe si shkrimtare pro edhe si figurë fetare. Në fillim kisha shumë vështirësi sidomos për higjienë, ujë të ngrohtë, gjërat më themelore, pjatë, gotë plastike, fletore e laps…histori e gjatë, do të mund të lexoni në romanin tim në të ardhmen e shpejt.  Pas  pesë netëve  u dënova me vetmi, sepse unë kërkova ndihmë, kërkova mjek, ndërsa rojet që i thonë oficere ato më raportuan se kisha prishur rendin. Arsyeja ishte sepse unë isha lodhur nga pagjumësia sepse në repartin tonë kishim një të sëmurë psikike, dhe ajo ditën flinte sepse i jepnin qetësues, ndërsa natën vetëm bërtiste gjersa lodhej. Në natën e pestë unë ashtu e mbështetur në mur as e fjetur as e zgjuar kisha ëndërruar shumë skena trishtuese dhe të njëjtin zë por në shumës, dhe kur i hapa sytë në moment u ngrita dhe i mëshova derës së hekurt dhe kërkova “ O më sillni edhe mua bre një mjek e psikiatër se u sëmurëm të gjitha” sepse edhe shoqet e tjera të gjitha ankoheshin por ato nuk kishin guximin të bërtisnin. Kështu që veten e ndjeja jo si në burg të ftohtë por si në spital psikiatrik. Rojet as që e morën seriozisht revoltën dhe kërkesën time për ndihmë. E keqja ishte se në dhomën time s’kisha edhe dritë, kërkova së paku të më lëshonin dritën që të mund të qetësohesha me lexim Kurani, në fund më lëshuan dritën pas gjithë atij përgjërimi që bëra.  Të nesërmen mua më ndëshkuan me vetmi për 10 ditë rresht, sepse rojet kishin raportuar se unë e kam prishur rendin qetësinë, e kjo ishte shumë e pa vërtet, unë kërkova ndihmë ata më dhanë vetminë.

Për shkak kësaj padrejtësie që më bënë, unë doja të bëjë grevë urie, por e dija veten se kam problem me tensionin e gjakut dhe me zemër, e nuk doja të sëmurem ngase mezi prisja ditën e gjykimit, prandaj i bojkotova ushqimin e tyre, nuk ia morra asnjë shujtë dhe vendosa të agjërojë, jo se kisha nevojë, por njeriu kur është uritur edhe bukë e vegetë e ujë i duket e shijshme. Prandaj unë fetën e bukur së mëngjesit e haja për iftare dhe fetën e bukës së darkës e haja për syfyr prapë  bukë, vegët e ujë  shtatë ditë rresht. Kështu që unë të gjithëve aty ja bëra me dije se nuk ja dua bukën tuaj edhe pse për këtë bukë tatim kam paguar si dhe iu tregova se buka ime emrin e ka Drejtësi. Burri im ishte i njoftuar për gjendjen time dhe padrejtësitë që mi bënin, prandaj ai e kishte paraqitur rastin tim tek OMBUS PERSON – Avokati i Popullit, e pastaj doktoresha nga Këshilli i Torturave Njerëzore e kuptoj gjendjen time dhe më këshilloi se duhet të stopoj me bojkotim të ushqimit sepse më priste një situatë më e rëndësishme pra në gjykatë.

Lajmi.net: Para, gjatë dhe pas luftës SHBA-të njihen si aleati kryesor i Kosovës, dhe si e tillë, reagimet në rrymën e kundërt normalisht që shkaktojnë debat në opinion. Si i konsideroni ju, personalisht, SHBA-të në raport me Kosovën, dhe pse sipas pikëpamjeve tuaja duhet të përkrahet një shtet armiqësor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Ikballe Huduti-Berisha: Unë në postimet dhe shkrimet e mia realiste gjithmonë e kam përkrahur NATO-në e këtu është edhe Amerika,  sa i përket kontributin e saj të papërshkrueshëm që ka bërë për Kosovën, bile shpesh herë e them se po të mos ishte Amerika ne do të ishim e famshmja e serbëve “Serbija e Madhe”. Kosova para  dhe pas luftës ka pasur krizë identitare, kombëtare bile edhe asimilim të mundshëm, por Zoti dashti që SHBA të na dalë në ndihmë dhe përkrahje të madhe ushtarake së bashku me shtetet tjera Perendimore duke rrezikuar veten dhe ushtarët e tij për shtetin tonë Kosovën.

Si shpërblim i kësaj përkrahje të Amerikës, Kosova ia ka hapur dyert duke e akomoduar SHBA me qindra hektarë tokë më pjellore dhe për këtë,  me siguri Amerika  dhe shtetet Perëndimore na janë mirënjohëse kulturës sonë nikoqireje që miku mund të ja ofrojë mikut. Prandaj,  kjo është e ditur pse  Amerika është mikja jonë dhe ne jemi miqtë e Amerikës,  sepse miku njihet si mikë në çaste më të vështira të jetës.

Prandaj, shprehja e mendimit tim të lirë nuk ka pasur nevojë të bëhet bujë dhe frikë në opinion, sepse siç thoni ju  “ e kam përkrah një shtet armiqësor “, kjo nuk qëndron kështu, unë këtë fenomen të mbytjes nuk e kam përkrah por e kam ngritë zërin kundër vdekjes dhe kryerësit të saj. Të njëjtën përkrahje kundër këtij krimi ndaj Gjeneral Sulejmanit e kanë përkrahë edhe vetë shkëlqesia e tij Papa në Vatikan, Prof. Fatos Lubonja,  Menaxheri i Shtëpisë së Bardhë në Amerikë, ztr. Filip Gordoni si dhe shumë personalitete të njohura në botë. Por, problemi është se në Kosovë personave që janë figura fetare gjykohen e paragjykohen padrejtësisht dhe kundër nesh përdoren standarde të dyfishta siç thotë ztr. Bexhet Shala kryetari i KMDLNJ, ndërsa portalet gazetareske janë munduar të e nxjerrin bukën e gojës duke i bërë LIKE sa më shumë postimeve të tyre dhe duke ia mbajt hatrin Amerikës, se ja çfarë i bëjmë ne qytetarëve tonë vetëm për hatër tëndin. Por, ndonjëherë del e kundërta sepse emri i im u bë shumë i njohur nëpër botë dhe njerëzit demonstruan para Ambasadës së Kosovës në Londër duke dhënë mesazhe që mos i dëmtoni qytetarët tuaj për shkak mendimit të lirë, si dhe Profesori Amerikan  Alon Ben Meir shumë mirë e përmendi se  “nëse unë nuk kam lidhje me organizatat terroriste nuk duhet të dënohem me burgim për shkak shprehjes së mendimit tim të lirë”.

Lajmi.net: Personalisht, a keni pasur ndonjëherë takime apo kontakte me politikanë në Kosovë, duke qenë se ju  përfaqësoni një sekt fetar që megjithatë nuk është shumicë në Kosovë?

Ikballe Huduti-Berisha: Sa i përket besimit tim një gjë duhet ta kuptoni se unë nuk i takoj asnjë sekti por i takoj besimit Islam me besim në një Zot dhe në Muhamedin si profet si dhe jemi pasues të “Ehli Bejtit” apo në gjuhën shqipe i bie pasues të Familjes së Profetit.  Mua më kanë etiketuar edhe si Shiite ( pasuese) e Iranit, por ka një keqkuptim të qëllimshëm, sepse po të ndanë nga tufa më kollaj të gëlltisin ujqit thonë të moçmit si dhe nga anti propaganda mediale që kanë krijuar “Shiafobi” dhe njerëzit i frikësohen këtij termi “shija” nga, mosnjohja reale. Prandaj së pari duhet kuptojmë se fjala “shija apo shiite”, rrjedh nga gjuha arabe që donë të thotë “ pasues”  këtë rast të Familjes së Profetit ku hynë edhe vet Profeti. Prandaj jo vetëm unë por edhe mëse 35 % i muslimanëve në Kosovë dhe 50 -60 % në Shqipëri janë të njëjtit besim, i takojnë Islamit dhe janë ithtarë Musliman pasues të Ehli Bejtit ( Familjes së Profetit).  Ndërsa sa i përket përqindjes  tjetër edhe ata janë Musliman Suni pasues të shokëve të Profetit.  Me një fjalë, muslimanët nuk dallojnë asgjë në esencë sa i përket besimit pra Sunitët dhe Shitët që ju dhe të tjerët nuk i njihni dhe bëni ndasi, pra janë 95% të njëjtë në bindje ( akide) por dallojnë vetëm në pasimin e “Halifatit” dhe “Imamatit” ku edhe kanë dalë plasaritjet gjatë historisë. Pra Muslimanët Sunit mendojnë se pas Profetit i ka kaluar liderësia Ebu Bekrit pra shokëve të Profetit, ndërsa Muslimanët Shiitë besojnë se pas profetit Imamati pra liderësia i ka takuar Imam Aliut dhe Familjes së Profetit sepse ishte “emaneti” i fundit i Profetit në Luginën e Gadirit 72 ditë para vdekjes. Pra ne si musliman kemi mospajtime nga aspekti i historisë pas vdekjes së Profetit, por jo në besim ( akide). Pra muslimanët Suni dhe Shiit nuk janë sekte por janë dy burime të vërteta që dallojnë në histori prandaj për shkak keqëpërdorimit të rrotës historike kanë dalur shumë sekte Shiite dhe Sunite si degë të Islamit siç janë sektet ekstreme të krijuara pas vitit 1825 nga Abdul Ëehabi që njihen si sekt dhe pasues të doktrinës Ëehabiste në kuadër te Medh’hebin Hambelij apo sekti Shiit Behai që ka në Prishtinë si dhe sekti islamo-politik i Shiitëve siç janë Muxhahidinët e Iranit që janë akomoduar në Shqipëri me numër mëse 3.000 pjesëtarë të kësaj organizate shëtisin lirë nëpër Shqipëri edhe Kosovë sepse Irani i ka dëbuar nga shteti i vet e ne ja kemi hapur dyert këtij sekti të rrezikshëm Shiit në Tiranë.

Këtë besim Islam me pasim të Familjes Profetike mua më ka mësuar i madhi Naim Frashëri në veprat e tija siç është Qerbelaja dhe unë që nga ajo ditë para 30 viteve e kam kuptuar se kush është Familja e Profetit, unë nuk e kam ndërruar fenë time Islame por vetëm e kam plotësuar me njohuri të reja për Familjen Profetike.

Ndërsa sa i përket takimeve të mija me politikan e qeveritarë menjëherë pas luftës kanë qenë takime të zakonshme edhe zyrtare, bile vet kryetari Prizrenit prof.dr. Eqrem Kryeziu një ndër themeluesit e LDK ka qenë mysafir i imi me  gjithë stafin e tij në shtëpinë time në Prizren për përurimin e hapjes së kopshtit për fëmijë. Kam pasur shumë oferta për të qenë pjesë e partive të ndryshme por unë vetë nuk e kam parë vetën të gatshme të jem pjesë e politikës por kam punuar për çështje politike duke u marrë me masën e gjerë sociale.

Ndërsa takimet me kryetarë partie me ministra e tjerë,  gjithashtu janë takime kohë pas kohe të shpeshta sepse unë kam nderin që të marrë ndonjë këshill nga ata dhe t’ua dhurojë ndonjë libër me vlerë.  Duke pas parasysh në  lagjen time në Veternik – Prishtinë kam qenë dy vite me radhë kryetare e pikës së LVV andaj kam pas kontakte  zyrtare nëpër mbledhje konstruktive me kryeministrin e tanishëm Kurtin, por edhe takime me Shpend Ahmedin dhe kur është kërkuar të tubohemi për takime, unë nuk kam shkruar vetëm por pas vete kam pas edhe një grup grash e vajza të lagjes tek të cilat kam lobuar për VV si dhe me gjithë familjen time kemi dhënë kontributin tonë familjar duke ngjitur pllakata letre  kundër dhunës e korrupsionit nëpër qytet.  E kam përkrahur haptaz në FB edhe Kadri Veselin edhe presidentin Hashim Thaqin kur kam parë se kanë bërë ndonjë punë veprim të mirë. Unë kam restorantin tim të preferuar dhe aty shpesh e shoh edhe Pacollin dhe ai është njeri shumë bujar, posa më vëren mua që jam aty o me shoqe o me bashkëshortin, ai faturën  time e paguan me fisnikëri.  Kam pas keqkuptime dhe keqtrajtime nga tifozët e partive duke më akuzuar, por kjo është e drejtë e imja sepse unë jam apolitik dhe favorizimet i kamë të pjesërishme ngase jamë e mendimeve të mija, por problem është kur dikush më diskriminon siç më ka diskriminuar LVV para shtatë tetë viteve, kur gratë dhe vajzat e LVV formuan Forumin e Gruas ( që tani këto gra shumica janë në partinë tjetër PSD) dhe mua as nuk më ftuan, as nuk më angazhuan edhe pse isha tërë kohën pjesëtare aktive. Pastaj  më larguan nga mesi i tyre për arsye vetanake, për të cilat jam më se e sigurt se Kurti s’ka qenë në dijeni sepse ai këtë gjest jo të hijshëm kurrsesi nuk e kishte toleruar. Por pa marrë parasysh të gjitha këtyre ndodhive unë gjithmonë i kam ndenjur besnik së paku Albinit dhe Glaukut me të cilin gjithashtu kam pasur takime dhe shkëmbime ideshë dhe librash.

Lajmi.net: Pas rastit, dhe kohët e fundit, a keni marrë kërcënime për komentet e juaja në Facebook, dhe a e ndjeheni e rrezikuar për mendimet e juaja?

Ikballe Huduti-Berisha: Jo, kurrsesi as edhe një kërcënim nuk kam marrë, bile kam pas shumë mënyra të përkrahjes o me selam, o me përkrahje morale të heshtur si dhe me ndihma financiare, sepse miqtë e mi e kanë pasur të ditur gjendjen time të dobët ekonomike e që ky rast imi në gjykatë deri sot ka arritur shumën 3000 euro të hargjimeve administrative.  Më e mira e kësaj  është se shumë miq jashtë Kosovës si p.sh. Islamic Human Right Consule nga Britania kanë bërë edhe demonstrata para Ambasadës së Kosovës në Londër, fushata informative në Turqi, Pakistan, Iran, Irak , Gjermani etj.

Sa i përket kërcënimeve të mëparshme, ato deri vonë vonë i kam marrë dhe i marrë nga militantët e hoxhallarëve të BIK-ut, sepse që nga viti 2007 kur unë në Hotel Viktoria në Prishtinë përgatita një Manifestim Kulturor “ Gonxhja e Pejgamberit “ ku i tubova 300 mysafirë, që nga ajo ditë unë iu ekspozova rrezikut, kërcënimit, poshtërimit dhe abuzimit të autoritetit tim në mënyrë shumë brutale dhe direkte, sepse Shefqet Krasniqi, Enes Rama dhe disa hoxhallarë tjerë, më fyenin, e poshtëronin  me emër me mbiemër nëpër rrjete sociale se unë jam, qafire ( heretike) e kjo do të thotë sipas doktrinës vehabiste edhe nëse e mbyt një heretike e ke “sevap” shkon në Xhenet.  Mua më quajtën hoxhallarët “argatja e Iranit”, “dashnorja e Ahmed Nexhatit” e tjera. Thirrjet e hoxhallarëve kishin qëllim që popullata të më bojkotonte dhe ashtu ndodhi kur unë në vitin 2014 u detyrova të e mbylli Organizatën Kulturore “Nisa” për shkak se të gjithë kursantët që i mësoja Kuran dhe edukim e kulturë, i besuan hoxhallarëve dhe të gjithë largoheshin nga unë, dhe faktikisht unë mbeta pa punë dhe pa bukë. Por, më e keqja e kësaj ishte se mua pastaj mediat më bënë shpifjen edhe më të madhe, ata nga paragjykimet dhe gënjeshtrat që predikonin së bashku me hoxhallarët mua më etiketuan, se unë kisha rekrutuar femra në Siri e Irak,  kisha bërë larje parash me të huajt, më kishin etiketuar për amoralitet lidhur me disa martesa të përkohshme e të tjera.  Pas gjithë këtyre shpifjeve, paragjykimeve e kërcënimeve mua më bastisën shtëpinë në maj të viti 2015 prokurori ngriti padi si e dyshuar për kryerje të veprave terroriste, dhe për fat të keq as prokuroria as TV dhe portalet, asnjëherë nuk e zbardhën rastin tim dhe në sytë e popullit tim unë isha e futur në të njëjtin thes të vehabive dhe 40 hoxhallarëve që ende janë nëpër burgje.

Kërcënimet më poshtërues dhe më i frikshëm ka qenë në dhjetor të vitit 2018, ishin festat e fundvitit dhe sipas besimit tonë Islam dhe këshillës profetike ne jemi të obliguar të ia urojmë festat të krishterëve, jahudive dhe jomuslimanëve si dhe ndërrimin e motmoteve, prandaj Facebook im me ditë të tëra buçiste nga urimet që ja bëja miqve të mi të krishterë por edhe muslimanëve sepse ishte ditëlindja e profetit Isa. Pas një mesnate më thirri në mobil një numër i panjohur dhe më tha “Oj shkinë, që po na prish fenë me këto krishtlindje, kam me ardh nesër komplet familjen kam me ta pre në fyt si në Siri”, ky pra ishte një kërcënim i tmerrshëm i viti 2018,  që më detyroi të shkojë në polici të e lajmërojë rastin, por, unë mbeta edhe e frikësuar edhe e zhgënjyer nga Policia e Kosovës, sepse ata pas 2 javë hulumtimi, më thanë se nuk mund ta gjenin personin që ka kërcënuar sepse e kishte blerë numrin në pazare. Kjo pra ishte një ndër kërcënimet më të tmerrshme dhe më poshtëruese nga militantët e hoxhallarëve dhe nga  institucioni i sigurisë policore të Kosovës. /Lajmi.net/