Interi i jep leksione Romës së Mourinhos – fitore e lehtë për një derbi

Inter ka shënuar fitore bindëse ndaj Romës.

Sport

04/12/2021 19:50

Skuadra e Inter ka shënuar fitore me rezultat të pastër 0:3 ndaj Romës, në ‘Stadio Olimpico’, shkruan lajmi.net.

Ky takim u zhbllokua pas vetëm 15 minutave lojë, falë brilancës së Hakan Calhanoglu, i cili me një goditje direkt nga këndi dërgoi topin në rrjetë.

Nëntë minuta më vonë mbrojtja e Romës u thye për herë të dytë. Kësaj radhe në skenë ishte ish-i i Romës, Edin Dzeko, i cili shënoi për 0:2.

Të gjitha dilemat për fituesin u mbyllën në pjesën e parë, kur mbrojtësi holandez, Dumfries, shënoi për 0:3 në minutën e 39’.

Pjesa e dytë nuk la diçka për t’u veçuar, përveç një administrimi të mirë të Inter, që në fund u kurorëzua me tri pikët.

Skuadra Zikaltër shkon në pozitën e dytë, me vetëm një pikë më pak sesa Milan, kurse Roma mbetet me 25 pikë në pozitën e pestë. Humbja eventuale e Napolit e lë Interin në pozitën e dytë pas kësaj xhiroje. /Lajmi.net/