Instituti “Musine Kokalari”: Tërheqja e padive nga “Kelkos” është fitore për mjedisin

17:30 | 20 Tetor 2021

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” konsideron se tërheqja e padive nga kompania “Kelkos Energy” ndaj aktivistëve Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferri është një hap pozitiv, por i vonuar.

Ky institut thotë se kjo është fitore për mjedisin në përgjithësi dhe për aktivistët për mbrojtje të mjedisit në veçanti.

“Si e tillë, edhe kjo padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAP) nga ana e kompanisë “Kelkos”, kishte për synim t’i hesht zërat kritik ndaj shkeljeve të kryera përgjatë dhe pas ndërtimit të hidrocentraleve në Grykën e Deçanit, të cilat Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” i ka paraqitur së fundi në raportin e tij: “Hidrocentralet e Profitit të Privatit në dëm të Mjedisit Publik”, thuhet në njoftimin e tyre.

“Inkurajojmë qytetarët dhe aktivistët ta vazhdojnë angazhimin e tyre në mbrojtjen e interesave publike, si dhe ftojmë institucionet ta zbatojnë ligjin dhe vendimet e gjykatave në mbrojtje të këtyre interesave”.