Instituti amerikan thotë se veç Bosnja është më keq se Kosova, papunësia dhe çmimet renditen në top- problemet e vendit
Më shumë se gjysma e qytetarëve të Kosovës mendojnë se vendi nuk është në rrugën e duhur, sipas një sondazhi të fundit të realizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI). Sondazhi, i zhvilluar nga maji deri në korrik të vitit 2025, tregon se 56% e të anketuarve besojnë se Kosova po shkon në drejtim të gabuar…

Lajme
Më shumë se gjysma e qytetarëve të Kosovës mendojnë se vendi nuk është në rrugën e duhur, sipas një sondazhi të fundit të realizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI).
Sondazhi, i zhvilluar nga maji deri në korrik të vitit 2025, tregon se 56% e të anketuarve besojnë se Kosova po shkon në drejtim të gabuar – një rritje e ndjeshme krahasuar me perceptimet e vitit të kaluar, raporton lajmi.net
Çmimet e larta dhe papunësia, shqetësimet kryesore.
Nga një kampion prej 1,164 qytetarësh të rritur, të intervistuar mes 13 majit dhe 25 qershorit, 45% e tyre e kanë cilësuar koston e jetesës si sfidën më të madhe me të cilën përballet vendi.
Papunësia është renditur e dyta me 19%, ndërsa korrupsioni është përmendur nga 6% e të anketuarve si problemi kryesor.
- Kostoja e jetesës / çmimet e larta – 45%
- Papunësia – 19%
- Korrupsioni – 6%
Në bazë të kësaj renditje pasqyrohen edhe shifrat e inflacionit, të cilat kanë ulur fuqinë blerëse të qytetarëve viteve të fundit kurse nga ana tjetër- papunësia vazhdon të rrisë pasigurinë ekonomike të kosovarëve.
Vlen të theksohet se raportet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtarë në vazhdimësi kanë konfirmuar perceptimin e qytetarëve, duke vënë në pah theksin se inflacioni gjatë vitit 2025 është kthyer frikshëm në rrjedhë negative.
Kurse sa i përket korrupsionit, ndonëse vetëm 6% e të anketuarve e përmendin si “problem kryesor”, korrupsioni mbetet një prej sfidave më të mëdha të vendit, duke u renditu kështu në vendin e tretë për top sfidat me të cilat i duhet të ballafaqohet vendit tonë.
Pas korrupsionit, qytetarët rendisin: situatën e përgjithshme politike (5%), emigrimin (3%), ekonominë në kuptimin më të gjerë (3%) dhe kujdesin shëndetësor (3%).
Ndërsa, pasiguria, kriminaliteti, mungesa e mundësive për biznes të vogël dhe qasja në kredi përmenden nga 2% e të anketuarve. Probleme të tjera si konfliktet e jashtme, lufta, droga e paligjshme, varfëria dhe arsimi renditen me nga 1%.
Sondazhi në Kosovë u realizua 13 maj–25 qershor 2025, me një kampion përfaqësues prej 1,164 të rriturish, marzh gabimi ±3.3 p.p. dhe intervista ballë për ballë në ekonomi familjare./Lajmi.net/