Institucionet e Pejës intensifikojnë bashkëpunimin kundër trafikimit me njerëz
Prokuroria Themelore në Pejë ka organizuar një takim koordinues në kuadër të Strategjisë Kombëtare kundër Trafikimit me Njerëz në Kosovë 2022-2026. Takimi, i udhëhequr nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, Lumturije Vuçetaj, mblodhi përfaqësues kyç nga institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, përfshirë Koordinatoren për veprat penale kundër trafikimit me qenie njerëzore, Valbona Haxhosaj, prokuroret…

Lajme
Prokuroria Themelore në Pejë ka organizuar një takim koordinues në kuadër të Strategjisë Kombëtare kundër Trafikimit me Njerëz në Kosovë 2022-2026.
Takimi, i udhëhequr nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, Lumturije Vuçetaj, mblodhi përfaqësues kyç nga institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, përfshirë Koordinatoren për veprat penale kundër trafikimit me qenie njerëzore, Valbona Haxhosaj, prokuroret e Departamentit për të Mitur, Sanije Seferi dhe Suada Hamza, si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës dhe Zyra për Mbrojtjen e Viktimave.
Në takim u theksua nevoja për bashkëpunim ndërinstitucional dhe krijimin e mekanizmave të efektshëm për luftimin dhe parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore. Gjithashtu, u diskutua për trajtimin efikas të rasteve të identifikuara, duke siguruar që të gjitha institucionet e përfshira të përpilojnë raporte për Prokurorinë e Shtetit, të cilat do të shërbejnë për veprime ligjore të mëtejshme.
Në përfundim, pjesëmarrësit arritën në disa konkluzione të rëndësishme që do të ndihmojnë në forcimin e luftës kundër trafikimit me njerëz në nivel lokal dhe kombëtar.