“Institucionet duhet ta identifikojnë rrezikun, para se ai të shndërrohet në tragjedi” Avokati Bajraktari deklaron se problemi është tek mos-zbatimi i ligjit
Avokati, Ardian Bajraktari, ka vlerësuar se problemet në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje nuk lidhen domosdoshmërish me një institucion të vetëm, por me zbatimin e ligjit, koordinimin ndërinstitucional dhe llogaridhënien. Këtë deklarim për lajmi.net Bajraktari e dha pas ngjarjes tragjike në Vitomiricë të Pejës ku Arlinda Zekaj u vra nga kunati i saj,…
Lajme
Avokati, Ardian Bajraktari, ka vlerësuar se problemet në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje nuk lidhen domosdoshmërish me një institucion të vetëm, por me zbatimin e ligjit, koordinimin ndërinstitucional dhe llogaridhënien.
Këtë deklarim për lajmi.net Bajraktari e dha pas ngjarjes tragjike në Vitomiricë të Pejës ku Arlinda Zekaj u vra nga kunati i saj, Albert Sylaj, pas dhunës së vazhdueshme psiqike, fizike dhe kërcënimeve si nga ish-burri dhe nga familjarët e tjerë.
Duke komentuar rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, Bajraktari ka theksuar se institucionet duhet të përqendrohen jo vetëm te pasojat e rasteve tragjike, por edhe te parandalimi i tyre dhe identifikimi me kohë i rrezikut.
“Problemi kryesor nuk qëndron domosdoshmërish tek një institucion i vetëm, por te zbatimi efektiv i ligjit, koordinimi institucional dhe llogaridhënia”, ka deklaruar Bajraktari për lajmi.net.
Ai ka theksuar se Kosova ka një kornizë ligjore të avancuar, por sipas tij, ligjet nuk garantojnë mbrojtje nëse nuk zbatohen në praktikë.
“Moszbatimi i detyrimeve ligjore nuk duhet të kalojë pa pasoja. Kur vërtetohet se veprimi ose mosveprimi i një zyrtari ka shkelur detyrimet ligjore dhe ka kontribuar në dështimin e mbrojtjes së viktimës, duhet të ketë përgjegjësi ligjore”, ka theksuar ai.
Mbrojtja e viktimave duhet të jetë reale dhe e vazhdueshme
Duke folur për mënyrën më të mirë të mbrojtjes së grave që përballen me kërcënime dhe dhunë në familje, avokati ka vënë në pah rëndësinë e vlerësimit profesional të rrezikut, veçanërisht në rastet kur ka kërcënime të përsëritura, histori dhune ose shenja të përshkallëzimit të saj.
Sipas tij, institucionet duhet ta identifikojnë rrezikun para se ai të shndërrohet në tragjedi, ndërsa kjo kërkon trajtim serioz të çdo raportimi, koordinim institucional dhe reagim të shpejtë.
“Mbrojtja nuk mund të jetë vetëm formale, përmes regjistrimit të rastit apo nxjerrjes së urdhrit mbrojtës. Ajo duhet të jetë reale, efektive dhe e vazhdueshme, në përputhje me nivelin e rrezikut”, ka deklaruar Bajraktari për Lajmi.net.
“Problemi kryesor nuk është mungesa e legjislacionit, por zbatimi i tij”
Sa i përket masave aktuale për mbrojtjen e viktimave, Bajraktari ka vlerësuar se sfida kryesore nuk qëndron te mungesa e legjislacionit, por te zbatimi i tij në praktikë.
Ai ka përmendur Konventën e Stambollit dhe Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave, duke theksuar se këto instrumente ligjore duhet të shoqërohen me veprime konkrete nga institucionet përgjegjëse.
“Vlerësoj se problemi kryesor nuk është mungesa e legjislacionit, por zbatimi i tij në praktikë”, ka thënë ai.
Bajraktari ka theksuar se nevojiten ngritja e kapaciteteve profesionale, vetëdijesimi, forcimi i koordinimit ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe gjykatave, si dhe llogaridhënia për shkeljet e detyrimeve ligjore.
“Nevojiten ngritja e kapaciteteve profesionale, vetëdijesimi, forcimi i koordinimit ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe gjykatave, si dhe llogaridhënia për shkeljet e detyrimeve ligjore”, tha ai.
Ai ka nënvizuar se vetëm përmes zbatimit efektiv të ligjit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve mund të përmirësohet mbrojtja e viktimave dhe të parandalohet përsëritja e rasteve tragjike të dhunës në familje.
Në Kosovë tetë gra janë vrarë brenda 10 muajve të fundit, kryesisht nga partnerë e ish-partnerë. Kjo i bie mesatarisht një grua çdo pesë javë.
Vrasja e fundit, ajo e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor, ka rikthyer në diskutim publik pyetjet për reagimin e institucioneve ndaj dhunës në familje dhe për efektivitetin e mekanizmave të mbrojtjes.
Tri ditë para vrasjes, Zekaj ishte ankuar te kryeprokurorja e Pejës për mënyrën se si institucionet po e trajtonin rastin e saj dhe kishte paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik, por institucionet e sigurisë dhe të hetuesisë nuk u vvnë në funksion, duke e lënë Arlindën të braktisur nga sistemi i drejtësisë në Kosovë./Lajmi.net/