Institucionet dhe shoqëria civile bashkohen kundër diskriminimit racor

Samiti Rajonal në Kosovë ka rikonfirmuar angazhimin kundër diskriminimit racor dhe përfshirjen e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Samiti rajonal kundër diskriminimit racor në Prishtinë, i mbajtur për të gjashtën herë, solli në fokus bashkëpunimin institucional me shoqërinë civile për të avancuar politika gjithëpërfshirëse dhe për të forcuar mekanizmat kundër diskriminimit, sidomos ndaj komuniteteve rom,…

Lajme

16/12/2025 12:42

Samiti Rajonal në Kosovë ka rikonfirmuar angazhimin kundër diskriminimit racor dhe përfshirjen e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Samiti rajonal kundër diskriminimit racor në Prishtinë, i mbajtur për të gjashtën herë, solli në fokus bashkëpunimin institucional me shoqërinë civile për të avancuar politika gjithëpërfshirëse dhe për të forcuar mekanizmat kundër diskriminimit, sidomos ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e rolit të OJQ-ve dhe mekanizmave të krijuar nga Qeveria për të adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të ndarë përvojat e suksesit drejt një shoqërie më të barabartë

NĽ samitin rajonal ishte prezent edhe Beate Elsasser, udhëheqëse për bashkëpunim në Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim, Ambasada e Zvicrës në Kosovë, e cila foli rreth mbështetjes së shoqërisë civile përmes programeve të ndryshme.

“Qeveria ka për detyrë të sigurojë mosdiskriminimin dhe gjithëpërfshirjen, mirëpo organizatat e shoqërisë civile luajnë rol qendror në hartimin dhe zbatimin e politikave, si dhe në ndryshimet që bëhen në shoqëri. Ne kemi mbështetur shoqërinë civile në Kosovë nëpërmjet programeve të ndryshme siç janë Fondacioni për Shoqëri Civile, si dhe projekti i organizatorëve që janë këtu të pranishëm. Ne e quajmë gjithëpërfshirja sociale për romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët. Këto bashkëpunime na kanë mundësuar ta mbështesim luftën kundër diskriminimit dhe për të promovuar politika gjithëpërfshirëse për arsim dhe strehim, si dhe për të promovuar politika të barazisë”, theksoi Elsasser.

Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Mundësi të Barabarta në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës tregoi që për herë të gjashtë janë mbledhur në këtë samit, por këtë herë për të parë progresin, sfidat dhe hapat më tutje.

“Këtë radhë bëjmë bashkë shoqërinë civile dhe institucionet, jo vetëm për të shkëmbyer nevoja, por edhe për të parë progresin, sfidat dhe hapat më tutje që do t’i ndërmarrim. Temat që i trajtojmë këto dy ditë në samit kanë fokus luftimin e diskriminimit. Natyrisht, është në interes të vendit tonë, shoqërisë tonë, shtetit tonë, institucioneve tona, por edhe në përgjithësi, si dhe vetë rajonit. Rrjedha e procesit të marrjes së veprimeve nga vendet e Ballkanit Perëndimor ka rrjedhur nga Procesi i Berlinit. Ne, si shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe si Kosova, obligohemi që të marrim veprime konkrete në parandalim dhe luftim të diskriminimit ndaj romëve. Për këtë, me përkrahje dhe bashkëpunime me shoqërinë civile dhe organizatat joqeveritare, ne si institucione në Kosovë kemi marrë veprime të menjëhershme në parandalimin dhe luftimin e diskriminimit ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Siç jeni në dijeni, Qeveria ka krijuar një mekanizëm, një strukturë adekuate për të parandaluar dhe luftuar diskriminimin”, tha Hajredini.

Isak Skenderi, drejtor ekzekutiv i Rrjetit të Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve në Kosovë, mbajti fjalimin e tij me fjalë motivuese.

“Për shumë vite, të gjithë ata që kanë punuar në shoqërinë civile kanë folur për shoqëri më të mirë, shoqëri të bazuar në barazi, drejtësi e dinjitet për të gjithë. Këto aspirata fillojnë shpesh si ide, ndonjëherë si bindje, por të heshtura, shumë më parë se të marrin formën e politikave, programeve apo zotimeve publike. Unë kam pasur fatin, gjatë këtyre viteve, jo vetëm t’i bart këto aspirata, por edhe t’i shoh disa prej tyre që materializohen përmes përpjekjeve të përbashkëta, inicimit të partneriteteve që ndërtohen mbi vlera të përbashkëta. Përvoja më ka mësuar një mësim themelor, progresi asnjëherë nuk është rezultat i një vizioni individual; ndryshimi bëhet i mundur vetëm kur të tjerët zgjedhin ta marrin përsipër atë vizion dhe ta marrin pronësinë e tij, të vënë në pikëpyetje praktikat e vendosura, të sfidojnë sistemet kur ato mbesin të mangëta, për të pranuar përgjegjësinë që sjell ndryshimi domethënës”, tha Skenderi.

Aktivistë të të drejtave të njeriut vlerësojnë se Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi i Kosovës ka potencial të fuqishëm në letër, por zbatimi i tij mbetet i pashkallëzuar dhe joefektiv në shumë fusha të jetës, duke përfshirë punësimin, qasjen në shërbime dhe trajtimin e komuniteteve të margjinalizuara çka sfidon përpjekjet e samiteve dhe programet mbështetëse për shoqërinë civile./kp