Institucionet ‘anti-konkurrencë’: Rreth 52 milionë euro u negociuan vjet në tenderë
Në muajt e fundit të vitit 2021 ka pasur një rritje të rasteve ku institucionet kanë lidhur kontrata me procedura të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, ku kanë ftuar vetëm një kompani për të dorëzuar tender, e cila edhe ka dal fituese e kontratës. Kjo tregon që qëllimi i shumë institucioneve ka qenë që të eliminojnë konkurrencën, për të favorizuar kompani të caktuara, në shumë raste duke e shkelur edhe Ligjin e Prokurimit.
Lajme
Kjo ka ndodhur gjatë gjithë vitit të kaluar, por më së shumti rritje e rasteve ku institucionet kanë blerë mallra, apo kanë kontraktuar punë duke mos përdorur procedura të hapura të prokurimit është vërejtur gjatë muajve të fundit të vitit 2021, shkruan lajmi.net.
Janë dhënë rreth 670 kontrata të vlerës së madhe, të mesme dhe të vogla që janë realizuar nga autoritete kontraktuese duke përdorur këtë procedurë për shërbime, furnizime dhe punë. Disa nga kontratat janë aneks-e për punët e pa parapara. Shuma totale e kontratave është afro 52 milionë euro.
Sipas nenit 88 të Ligjit për Prokurimin Publik të Kosovës Nr. 04/L-042, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik është përgjegjës për zhvillimin, funksionimin dhe mbikëqyrjen e përgjithshme të sistemit të prokurimit publik në Kosovë. KRPP ka gjithashtu autoritetin dhe përgjegjësinë të vëzhgojë dhe mbikëqyrë zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe rregullave të nxjerra nga KRPP sipas autorizimit të këtij ligji.
Gjatë vitit të kaluar, KRPP – Departamenti i Monitorimit ka lëshuar një numër të konsiderueshëm të Opinioneve për Autoritetet Kontraktuese, duke u kërkuar që të shmangin ato procedura ngase janë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, konkretisht me nenin 34 të LPP-së, i cilin tregon se kur duhet të lidhet një kontratë e tillë. Kësisoj në shumë raste, KRPP ka kërkuar që prokurimet të realizohen me procedura të hapura, por në shumë raste institucionet nuk e kanë përfillur opinion e tyre.
“Departamentit të Monitorimit deri më tani ka lëshuar një numër të konsiderueshëm të Opinioneve për Autoritetet Kontraktuese”, tha Fahri Maxhuni, Drejtor i Departamentit të Monitorimit në Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.
Nga KRPP kanë thënë për lajmi.net se një numër i madh i projekteve kanë ngecur në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, për shkak të ankesave që kanë bërë institucionet, por që OSHP nuk ka mundur t’i shqyrtojë në mungesë të bordit, për këtë arsyeje, sipas KRPP një numër i tenderëve janë proceduar me negocim.
“Sa i përket pyetjes tuaj, pse ka një rritje të madhe të apelimit të kësaj procedurë të prokurimit nga ana e institucioneve gjatë këtyre muajve, përgjigje e KRPP – Departamentit të Monitorimit do të ishte: KRPP – Departamentit të Monitorimit mendon se një prej indikatorëve që kanë ndikuar në rritjen e numrit të përdorimit të kësaj procedure është edhe mungesa e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, ku një numër i madhe i Aktiviteteve të prokurimit kanë mbetur të pa përfunduara dhe Autoritetet Kontraktuese kanë qenë të detyruar të zhvillojnë procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë”, tha tutje Maxhuni për lajmi.net.
Nga 1 janari deri më 30 dhjetor në OSHP janë adresuar 938 ankesa nga kompanitë ndaj zyrave të prokurimeve publike. Kjo shifër është më e madhja që është bërë ndonjëherë.
Disa prej kontratave më vlerën më të mëdha janë: “Furnizim emergjent me dokumente të identifikimit dhe mirëmbajtje të sistemeve” e realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në vlerë prej 3 929 080,00 euro, e që është negociuar më kompaninë “Veridos GmbH”. Madje në këtë rast çmimi i kontratës është më i lartë se vlera e parashikuar, ku vlera e parashikuar ka qenë 3 500 000,00 euro. Kjo tregon se autoriteti kontraktues nuk e ka bërë si duhet llogaritjen e vlerës së parashikuar.
Një kontratë tjetër më vlerë shumë të lartë ka qenë edhe “Furnizim me libra për arsimin para universitar për vitin 2021 2022”, që është realizuar nga Ministria e Arsimit e që është negociuar me kompanitë: “Shtëpia Botuese Libri Shkollor”, në vlerë prej 878 328,03 euro, ” Dukagjini” Sh.p.k në vlerë prej : 3, 544 912,89 euro, “Albas SH.P.K”, në vlerë prej 357 446,05 euro, ” BOTIME PEGI SH.P.K. ” DEGA NË KOSOVË, 35 307,01 euro, “Shukri Klinaku”, 9 040,00 euro.
Po ashtu, nga kjo ministri është realizuar edhe kontrata me negocim “Blerja e Teksteve shkollore sipas programeve të reja mësimore për vitin shkollore 2021 2022 për klasat 3,8 dhe tekstet e klasës së 7 si dhe të teksteve për nxënësit e komuniteteve për fazën e dytë”, me kompanitë “Dukagjini” Sh.p.k, në vlerë prej 1, 335, 693,34 euro, “Shtëpia Botuese Libri Shkollor”, në vlerë prej 368 862,19 euro, “Albas SH.P.K”, në vlerë 1, 213, 900,00 euro, “BOTIME PEGI SH.P.K.” Dega në Kosovë, në vlerë prej 98, 903,64 euro, N.G.B.L. “Berati”, 125, 624,90 euro, “Shukri Klinaku”, në vlerë prej 125, 624,90 euro,.
Po ashtu, një tjetër kontratë është edhe ajo “Furnizim me ujë të papërpunuar” e realizuar nga KEK e lidhur me “Ndërmarrja Hidroekonomike Ibër Lepenc SH.A.”, në vlerë prej 2 070 900,00 euro.
Kontrata të nënshkruara të vlerës së mesme kanë qenë rreth 370, në vlerë prej rreth 18. 4 milionë euro
Kontrata të negociuara, të vlerës së vogël, të nënshkruara kanë qenë 220, në një vlerë prej 1.1 milionë euro.
Në vitin 2020 kanë qenë të kontraktuara 56.8 milionë euro, që është më shumë se në këtë vit, por në atë kohë procedurat e prokurimit për furnizim me ilqqe, që kryesisht kanë pasur të bëjnë me pandeminë kanë udhëhequr më këtë procedurë.
Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë në mars të vitit 2020, institucionet kanë filluar me blerjen e materialeve mbrojtëse, dezinfektimin e hapësirave në përpjekje për ta luftuar COVID-19. Menjëherë pas paraqitjes së rasteve të para me COVID-19, Komisioni Rregullativ për Prokurimin Publik, kishte lëshuar njoftim për t’i lejuar autoritetet kontraktuese që t’i aplikojnë procedurat emergjente për blerje të materialeve që kanë të bëjnë me pandeminë. Përmes këtij njoftimi, operatorët ishin liruar edhe prej disa kërkesave tjera, siç janë vërtetimi i gjykatës, vërtetimi i ATK-së dhe sigurimi i tenderit.
Ky vendim ka qenë në fuqi deri me 12 qershor 2020 kur edhe është shfuqizuar nga KRPP. Pavarësisht shfuqizimit të këtij vendimi dhe duke pasur parasysh që pandemia COVID-19 nuk është më emergjencë, AK-të kanë vazhduar të lidhin kontrata të prokurimit me procedurë të negociuar. Duke pasur parasysh që çmimet e ofruara përmes kësaj procedure kanë dëshmuar që janë shumë më të larta, përdorimi i mëtutjeshëm i tyre është veprim që shkon në dëm të parasë publike.
“Monitorimi i prokurimit publik në katër komuna: Gjakovë, Gjilan, Podujevë dhe Mitrovicë e Jugut”, quhet raporti i fundit i Demokraci Plus (D+), ku thekson se Komunat subjekt i këtij raporti kanë përdorur në masë të madhe procedurën e negociuar të prokurimit publik nën arsyetimin e emergjencës të shkaktuar nga COVID-19. “Kjo procedurë ka mundur të arsyetohet në fillimin të pandemisë (pranverë 2020), por jo edhe gjatë tërë vitit 2020 dhe 2021, në kundërshtim me Ligjin e prokurimit publik (LPP); Komunat gjatë përdorimit të procedurës së negociuar kanë ftuar numër të vogël të operatorëve ekonomikë për të ofertuar në tender. Kjo ka kufizuar konkurrencën në mes të operatorëve ekonomikë dhe ka rezultuar në kurdisje të tenderit nga ana e komunave, po ashtu në kundërshtim me LPP”, thekson raporti i D+, sipas të cilit, në shkurt të 2021’tës, Komuna e Gjakovës ka iniciuar aktivitetin e prokurimit për sanimin – ndërtimin e rrugëve me asfalt, punë kjo e parashikuar të kushtojë 834,946. 90 euro.
Komuna e Gjakovës, duke përdorur procedurën e negociuar, ka ftuar tri kompani që t’i dorëzonin ofertat e tyre.
Nga tre operatorët ekonomikë, vetëm dy prej tyre kishin rezultuar të përgjegjshëm, teksa tenderi i është dhënë ARFA GROUP Sh.P.K., më datë 17 mars 2021, si tenderi me çmimin më të ulët, në vlerë prej 838,998.44 euro.
“Komuna e Gjakovës ka përdorur procedurën e negociuar, me arsyetimin se rrugët lokale kishin gjendje jo të mirë. Sipas vlerësimit të Sektorit të Komunikacionit, në gjendje jo të mirë ishin edhe rrugët kryesore.
AK ishte bazuar në nenin 35 të LPP-së, i cili lejon mundësinë e kontraktimeve të tilla, pa aplikuar procedura standarde të prokurimit. Në rastet kur është e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme, që janë shkaktuar ngangjarje objektivisht të verifikueshme, e të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues. Arsyetimi i komunës për përdorimin e procedurës së negociuar nuk qëndron, pasi dëmtimi i rrugëve nga reshjet atmosferike dhe hedhjes së kripës gjatë stinës së dimrit, nuk është nevojë emergjente, duke qenë se një gjë e tillë është lehtë e verifikueshme”.
“Për më tepër, Komuna e Gjakovës kishte planifikuar këtë tender në Planifikimin Përfundimtar të Prokurimit për vitin fiskal 2021-22, duke parashikuar shumën prej 800 mijë euro. Në këtë mënyrë, Komuna e Gjakovës ka cenuar të drejtën e operatorëve tjerë ekonomikë duke mos e përdorur procedurën e hapur.
Përdorimi i procedurës së negociuar nuk është arsyetuar mjaftueshëm nga Komuna e Gjakovës dhe e njëjta është dashur që të sigurojë pjesëmarrje sa më të gjerë të mundshme të operatorëve ekonomikë të interesuar, në mënyrë që të sigurohet konkurrenca”.
Lajmi.net, në vitin e kaluar ka raportuar se, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës-SHSKUK e rrezikoi jetën e pacienteve duke e vendosur në profeci furnizimin me oksigjen. Për shkak të situatës tejet emergjente në të cilën ndodhën spitalet në Kosovë, SHSKUK-ja shmangu procedurën e hapur për furnizim me oksigjen. Kjo ngase kontrata paraprake është tejkaluar përtej të gjitha limiteve. SHSKUK-ja, anuloi tenderin me procedurë të hapur, duke arsyetuar në mënyrë profetike se “pas rënies së rasteve me COVID, ka rënë kërkesa për furnizim me oksigjen …”, ndërkohë pas pak muajve për të njëjtin aktivitet të prokurimit ka lidhur kontratë me negocim.
Në vitin 2020, Ministria e Kulturës kishte nënshkruar vetëm dy kontrata me procedurë të negociuar. Lajmi.net ka gjetur se në vitin 2021, kjo ministri ka nënshkruar 19 sosh, vetëm në muajin dhjetor janë nënshkruar 9 sosh. Ato kanë të bëjnë me intervenimin urgjent në disa objekte që janë nën mbrojtje.
Në negociatat për kontratë në shumicën e rasteve është ftuar vetëm një kompani, dhe në disa raste vetëm dy, ndërsa kontratat shihet se janë lidhur kryesisht më kompanitë e njëjta. Sipas ARBK-së, shumica e kompanive aktivitet primar e kanë “Ndërtimi i objekteve banesore dhe jo banesorë”, dhe jo konservuese dhe restaurimet.
Ministria ka përdorur procedurën e negociuar, me arsyetimin se objektet nën mbrojte janë në gjendje jo të mirë. Prokurimi është bazuar në nenin 35 të LPP-së, i cili lejon mundësinë e kontraktimeve të tilla, pa aplikuar procedura standarde të prokurimit. Në rastet kur është e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme, që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme, e të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues. Arsyetimi i Ministrisë së Kulturës për përdorimin e procedurës së negociuar nuk qëndron, pasi dëmtimi i objekteve që janë nën mbrojtje nuk është bërë në këtë vit, dhe siç ka parë lajmi.net, shumica e projekteve kanë qenë të parapara edhe në buxhetin e vitit 2020, buxhet ky i cili është miratuar në fund të vitit 2019. Pra, një situatë të tillë, ministria e kishte paraparë më herët, por e ka lënë fundin e vitit që të procedojë ‘urgjentisht’.
Kontratat e muajt dhjetor janë: “Intervenimet emergjente ne Rajonin e Prizrenit (3 Objekte në Malisheve dhe 1 Objekt në Suhareke)”, në vlerë prej 119 477,00 euro. Kontrata është lidhur me kompaninë nga Malisheva “TONI O.P”, ku në ofertim janë ftuar dy kompani.
“Masat Preventive – Intervenimet emergjente në regjionin e Mitrovicës (Kisha Katolike-Sase, Stan Trg; Shtëpia e Islam Shipilit; Xhamia e Mazhiqit, dhe Kulla e Gani Sejdiut)”, në vlerë prej 141 537,55 euro. Kontrata është nënshkruar me kompaninë “LIMITPROJECT SH.P.K”.
“Faza përfundimtare për masat preventive në Xhamitë (Veleknices, Dunav, Llovce, Germove dhe Carrabreg)”, në vlerë prej 28 935,00. Kontrata është lidhur me LIMITPROJECT SH.P.K.; Rinesa SH.P.K.; DELTA – CCD SH.P.K.
“Intervenimet në Kishën Katolike ne Ferizaj”, 473, 326,75 euro. Kontrata është lidhur me “Rinesa SH.P.K.; “FRONI 1” SH.P.K. Kontrata është kornizë për 36 muaj.
“Intervenimet emergjente në Rajonin e Prizrenit në 8 objekte, Hani dhe Nallbani i familjes Kovaci, Ndërtesa në parcelen 03343-0 dhe 03599-0, Konsulata Austriake, Hani i familjes Zajmi, Kulla e Prenk Palaj ne Zym te Hasit, Xhamia ne Leshan te Suharekes dhe Sava Toska ne gastrin 02281-1 dje 02281-2 në Prizren”. Vlera e kontratës është 411, 220,50 euro dhe punët do të kryhen nga “DELTA – CCD” SH.P.K.
“Masat preventive – Intervenimet emergjente ne Rajonin e Prishtinës (2 Objekte Shtëpia e banimit Kurtesh Sylejmani dhe Shtepia e banimit e Sali Safqit në Prishtinë) “. Vlera e kontratës është 60 032,20 euro dhe punët do të kryhen nga Grup i Operatorëve “Ekonomik Rinesa SH.P.K.; FRONI 1 SH.P.K”.
“Faza përfundimtare për masat preventive – Intervenime emergjente për Regjioni e Gjilani”. Kontrata është nënshkruar me “LIMITPROJECT” SH.P.K.; “Rinesa” SH.P.K.; “DELTA – CCD” SH.P.K. Në vlerë prej 34, 270,00 euro
”Intervenimet emergjente ne Rajonin e Pejës (në 3 Objekte Kulla e Sheremetit, Kulla e Syle Tahir Syles dhe Dyçani i Musa Goranit)”. Punët do të kryhen nga OE “Ramë Haklaj B.I”, në vlerë prej 213 108,20 euro.
“Ndërhyrjet emergjente – Masat e sigurisë ne Kompleksin Memorial Adem Jashari – Shtëpia e Sala dhe Hamit Jasharit (nr. 4) në Prekaz”, në vlerë prej 45, 247,00 eurove dhe punët do të kryhen nga N.N. 100 % Design Sh.p.k.
Lajmi.net ka raportuar disa herë gjatë vitit të kaluar, lidhur lidhjen e kontratave të negociuara nga institucionet të cilat janë bërë në kundërshtim me LPP-në. /Lajmi.net/