Inspektorati u jep rekomandime Policisë së Kosovës se si të përmirësohet përdorimi i kamerave të trupit

IPK ka publikuar sot raportin e plotë të inspektimit të jashtëzakonshëm mbi “Përdorimin e kamerave të trupit dhe administrimin e provave digjitale, inspektim ky që është realizuar nga Departamenti i Inspektimit me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së për të vlerësuar nivelin e përdorimit të kamerave të trupit nga përdoruesit e autorizuar të Policisë së Kosovës…

Lajme

12/12/2024 11:05

IPK ka publikuar sot raportin e plotë të inspektimit të jashtëzakonshëm mbi “Përdorimin e kamerave të trupit dhe administrimin e provave digjitale, inspektim ky që është realizuar nga Departamenti i Inspektimit me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së për të vlerësuar nivelin e përdorimit të kamerave të trupit nga përdoruesit e autorizuar të Policisë së Kosovës dhe administrimin e audio – video materialeve të regjistruara.

Siç njofton Inspektorati Policor, Objektivat e këtij inspektimi kanë përfshirë përveç tjerash vlerësimin e respektimit të legjislacionit për përdorimin e sistemit të kamerave të trupit, vlerësimin e administrimit të pronës së pranuar si donacion, vlerësimin e efektivitetit në funksionimin e kamerave të trupit, vlerësimin e efektit të sistemit në ngritjen e sigurisë/transparencës/llogaridhënies dhe përformancës, si dhe vlerësimin e masave të sigurisë lidhur me administrimin e provave digjitale.
IPK në kuadër të raportit i ka dhënë Policisë së Kosovës  tetë (8) rekomandime që kanë të bëjnë me nevojën e angazhimit të  komisioneve për realizimin e  inventarizimeve periodike tre (3) mujore sipas Marrëveshjes së Donacionit, organizimin e trajnimeve në përdorimin e kamerave dhe administrimin e provave për zyrtarët policor të pa trajnuar,  organizimin e inspektimeve të kohëpaskohshme mbi funksionimin e sistemit dhe përdorimin e kamerave të trupit.
Inspektimi ka vënë në pah dhe ka adresuar përmes rekomandimit edhe përdorimin urgjent të kamerave të trupit nga strukturat e Departamentit të Kufirit, zgjerimin e sistemit të kamerave të trupit edhe në njësi tjera policore, klasifikimin e materialeve të regjistruara për qëllime të ruajtjes dhe administrimit të duhur të tyre.
Krahas kësaj raporti i inspektimit adreson edhe çështjen e  njoftimit të palëve kur ata i ekspozohen monitorimit të ushtruar, si dhe shtimin e përpjekjeve nga administratorët e sistemit të kamerave për procedimin me kohë të kërkesave që vijnë nga njësitë policore të ngarkuara me përdorimin e sistemit në fjalë.
Kamerat e trupit të cilat tanimë i ka në dispozicion Policia e Kosovës janë donacion nga Departamenti Amerikan i Shtetit përmes Byrosë për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit.
Raporti i plotë është i disponueshëm në faqen zyrtare të IPK-së duke klikuar këtu