Inspektorati ia ndali punimet, komuna aktivizon eskavatorët për të gërryer asfaltin tek sheshi “Xhorxh Bush”, Rama: Ndalesa ka qenë joligjore

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndërprerë punimet e nisura nga Komuna e Prishtinës në sheshin Xhorxh Bush, pasi që në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme e që preken nga ndërtimi i këtij sheshi, janë hoteli “Grand Hotel”, ndërtesa e ish-Radio Prishtinës, Rektorati i Universitetit dhe Biblioteka Kombëtare. Ndërkaq, Ligji për Trashëgiminë Kulturore përcakton…

Lajme

28/04/2025 10:41

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndërprerë punimet e nisura nga Komuna e Prishtinës në sheshin Xhorxh Bush, pasi që në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme e që preken nga ndërtimi i këtij sheshi, janë hoteli “Grand Hotel”, ndërtesa e ish-Radio Prishtinës, Rektorati i Universitetit dhe Biblioteka Kombëtare.

Ndërkaq, Ligji për Trashëgiminë Kulturore përcakton se për çdo intervenim në pronat e trashëgimisë kulturore apo afër tyre nevojitet pëlqim ose leje nga institucioni kompetent.

Ndonëse Inspektorati ka ndalur këto punime, Komuna e Prishtinës sot i ka vazhduar përsëri ato.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama sot ka deklaruar se ata po i vazhdojnë punimet dhe ata nuk i kanë ndalur ato prandaj vetëm po i vazhdojnë.

“Ajo ndalesë ka qenë joligjore dhe neve vetëm kemi dërgu kallëzim penal ndaj atij inspektori që ka bërë ndalesë joligjore. Jemi brenda kornizave ligjore, dhe kemi pas edhe paraqitje mediale ku I kemi tregu të gjithë dokumentet dhe po ashtu me ekipet tona ligjore e kemi pa që ne jemi përbrenda kornizave ligjore. Pra, ata kanë qenë jashtë tyre dhe kështu që ne do të vazhdojmë me punimet tona e projektet tona madhore për të mirën e secilit qytetar”, ka thënë Rama.

Ai ka dhënë detaje edhe nga realizimi i projektit, derisa ka njoftuar se do të ndërrohen gypat e ujit nga azbesti.

“Po ashtu kemi edhe disa punë me interes të madh këtu edhe përfundi kësaj hapësirë, përshembull gypat e ujit që janë të azbestit më shumë se 50 vite të cilat janë të dëmshme për qytetarët tanë, janë kancerogjene. Edhe ato gjatë procesit do t’i ndërrojmë dhe ta bëjmë rehabilitimin e gjithë kësaj hapësire, pra ta hekim asfaltin dhe të vendosim materiale të nivelit të lartë, pra që janë gur faktikisht, granit po ashtu edhe ta shtojmë gjelbërimin dhe ta kthejmë hapësirën e qendrës së kryeqytetit siç e meriton një qytet evropian metropolitan”, ka thënë Rama./Lajmi.net/