Inspektorati i Punës del me apel urgjent pas paralajmërimit për stuhi, kërkon masa të menjëhershme për mbrojtjen e punëtorëve
Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve në Kosovë, e në veçanti atyre që operojnë në sektorët me rrezikshmëri të lartë, të marrin masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve, pas paralajmërimit për mot të paqëndrueshëm dhe stuhi gjatë ditëve në vijim. Në njoftimin e publikuar, Inspektorati…
Lajme
Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve në Kosovë, e në veçanti atyre që operojnë në sektorët me rrezikshmëri të lartë, të marrin masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve, pas paralajmërimit për mot të paqëndrueshëm dhe stuhi gjatë ditëve në vijim.
Në njoftimin e publikuar, Inspektorati thekson se apeli bazohet në informatën e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës të datës 21 korrik 2026, e cila paralajmëron kushte të paqëndrueshme atmosferike në të gjithë vendin.
Sipas Inspektoratit, punëdhënësit duhet të kryejnë kontrolle të detajuara të pajisjeve, makinerive dhe mjeteve të punës, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së punëmarrësve.
Vëmendje e veçantë u është kërkuar kompanive që veprojnë në sektorin e ndërtimtarisë, të cilat duhet të sigurohen për gjendjen teknike dhe qëndrueshmërinë fizike të kranëve dhe pajisjeve të tjera ngritëse që përdoren në vendpunishte.
“Punëdhënësit duhet të kryejnë kontrollin e pajisjeve dhe mjeteve të punës, ndërsa në mënyrë të veçantë, ata që operojnë në sektorin e ndërtimtarisë duhet të sigurohen për gjendjen teknike dhe qëndrueshmërinë fizike të kranëve dhe pajisjeve të tjera ngritëse në vendpunishte, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe garantimit të sigurisë së punëmarrësve”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Qendror të Punës.
Ky institucion u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë detyrimet ligjore në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, në mënyrë që të shmangen rreziqet dhe incidentet e mundshme gjatë periudhës së motit të paqëndrueshëm. /Lajmi.net/