Inspektimi gjen mospërputhje në produktet e qumështit: Vaji i palmës më i padeklaruari nga kompanitë

Debati për çështjen e sigurisë së produkteve të qumështit u intensifikua në fillim të muajit të kaluar, pasi inspektorët e AUV-it, më 2 korrik, kryen kontrolle në fabrikën Vita në Istog, ku morën mostra të qumështit me afat të gjatë përdorimi, qumështit pluhur dhe vajit të palmës për analiza laboratorike. Teksa priteshin rezultatet përfundimtare, kompania…

Lajme

04/08/2026 13:45

Debati për çështjen e sigurisë së produkteve të qumështit u intensifikua në fillim të muajit të kaluar, pasi inspektorët e AUV-it, më 2 korrik, kryen kontrolle në fabrikën Vita në Istog, ku morën mostra të qumështit me afat të gjatë përdorimi, qumështit pluhur dhe vajit të palmës për analiza laboratorike.

Teksa priteshin rezultatet përfundimtare, kompania pezulloi përkohësisht punën duke çuar në përplasje mes drejtuesve të kompanisë dhe ministrit në detyrë të Bujqësisë.

Drejtuesit e kompanisë e konsideruan këtë kontroll selektiv dhe e akuzuan ekzekutivin se po i trajton sikur të ishin “kriminelë”.

Në rezultatet që AUV prezantoi në konferencën e së martës ishin listuar edhe disa mostra të kompanisë Abrazen, që është kompania amë e Qumështores Vita.

Në listën e prezantuar, shkruan se në mostrën “qumësht”, vaji i palmës është detektuar por jo i deklaruar.

Rezultatet e kontrollit të produkteve të qumështit nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë

Ministri në detyrë, Muja, u pyet edhe nga gazetarët për konfirmim se në qumështin “Vita” është gjetur vaj palme, për të cilën ai u përgjigj: “Pa fije dyshimi”.

“…Qumështorja Vita është konstatuar në disa mostra që ka plasuar në treg produkte të cilat janë tregtuar si qumësht por në esencë përmbajnë vaj palme dhe në rastet e tjera edhe qumësht pluhur”, tha Muja.

Deri më tani, kompania Abrazen apo Qumështorja Vita nuk ka reaguar publikisht ndaj publikimit të këtyre rezultateve. Radio Evropa e Lirë ka bërë një kërkesë për koment në adresën e Qumështores Vita dhe është në pritje të përgjigjeve.

AUV-ja nuk e ka bërë të qartë saktësisht se te cilat kompani është bërë testimi, ndonëse e ka prezantuar një listë me 38 mostra ku janë gjetur mospërputhje, ndonëse në fillim të konferencës u tha se janë 93 mostra në total me mospërputhje.

Radio Evropa e Lirë ka bërë kërkesë për të marrë listën e plotë të mospërputhjeve dhe rezultatet e analizave në përgjithësi.

Lista e mostrave, që u shfaq në ekran gjatë konferencës, ku thuhet se u gjetën mospërputhje, përmban prodhues, përpunues e importues të produkteve të qumështit.