Inspektim në zonën e rrëshqitjes së dherave
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto ka inspektuar sot, zonën e rrëshqitjeve pranë fshatit Ibë, në kilometrin e 11, të Lotit të parë, të segmentit të autostradës Tiranë-Elbasan, për të vlerësuar natyrën dhe përmasat e rrëshqitjes së dherave, për të përcaktuar më pas llojin e ndërhyrjes.

Lajme
Ministri Haxhinasto konfirmoi se nga pasditja e ditës së sotme do të hapet trafiku në mënyrë të kontrolluar, për të lehtësuar qarkullimin dhe lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve.
“Kjo ngjarje na ka vënë përballë një sfide madhore, sfidë kjo e përgjithshme, e hasur në çdo vepër me të cilën po punojmë, që është cilësia e munguar në projektet e rrugëve tona,” ka thënë ministri Haxhinasto.
Në një komunikatë për medie të kësaj ministrie thuhet se ai ka kërkuar të konsiderohet si prioritar aspekti teknik i realizimit të këtij projekti për të parashikuar incidentet e mundshme për të ardhmen.
Ai është shprehur se do të angazhohen, jo vetëm kapacitetet teknike që disponohen, por po konsiderohet edhe përfshirja e institucioneve të tjera të specializuara, për të hetuar gravitetin e defekteve që kanë krijuar situata të tilla dhe të vihen përpara përgjegjësisë personat e përfshirë.
Ministria e Punëve të Brendshme, Prefektura e Tiranës dhe Emergjencat Civile janë angazhuar maksimalisht që nga dita e parë e rrëshqitjeve dhe do të vijojë ky angazhim deri në zgjidhjen përfundimtare të situatës./KosovaPress/