Insekti më i ri i zbuluar nga Kosova, Potamophylax kosovaensis – Profesori tregon për gjendjen e llojit në vend

Potamophylax kosovaensis, insekti nga Kosova, është lloji më i fundit i zbuluar nga Profesori Halil Ibrahimi nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, në kuadër të Universitetit të Prishtinës. Në saje të zbulimeve të vazhdueshme që i bën profesori për shkencën, gazetarja e lajmi.net ka vizituar atë, ku ka treguar edhe se si ka arritur deri në…

Lajme

15/04/2024 14:21

Potamophylax kosovaensis, insekti nga Kosova, është lloji më i fundit i zbuluar nga Profesori Halil Ibrahimi nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, në kuadër të Universitetit të Prishtinës.

Në saje të zbulimeve të vazhdueshme që i bën profesori për shkencën, gazetarja e lajmi.net ka vizituar atë, ku ka treguar edhe se si ka arritur deri në zbulimin e insektit si dhe ka sqaruar se si është gjendja e mjediseve në të cilën gjenden llojet e rrezikuara të atyre insekteve në Kosovë, shkruan lajmi.net.

“Bëhet fjalë për gjetjen e një lloji të ri të insektit që nuk ka qenë i njohur më herët, hulumtim i cili ka fillu para 10 viteve, duke marrë parasysh se ky grup i insektit është vshtirë me u nxanë në natyrë, ku e gjatë është edhe procedura e analizave”, ka thënë profesori, duke treguar se pse ka zgjatur 10 vite deri në publikimin e kësaj gjetjeje.

Emërtimi Potamophylax kosovaensis është bërë duke u bazuar se është gjetur në Kosovë.

Profesori ka folur edhe lidhur me gjendjen e mjediseve në të cilat gjendet lloji, ku në njërin prej lokaliteteve ku janë gjetur disa prej tyre, për shkak të prerjes së pemëve e ndotjes së vazhdueshme, individët e këtij lloji janë zhdukur nga ai lokalitet.

“Roli i këtyre insekte është definitivisht i madh, për shkak se i mbajnë ujërat në gjendje të shëndetshme”, ka shtuar ai, duke treguar rëndësinë e këture insekteve.

Ai ka shtuar edhe rreth gjendjes së mjerueshme në të cilën gjendet Kosova për sa i përket trajtimit të ujërave të zeza, të mbeturinave, e kujdesjes së ujërave të vendit në përgjithësi, duke treguar se sa shumë po rrezikohen llojet nga ato.

“Lumenjtë e ndotur janë edhe burim i sëmundjeve të ndryshme për njerëzit, kështu që pastërtia e tyre nuk ka të bëjë vetëm me ruajtjen e këtyre llojeve, por edhe me mbrojtjen e vetvetes”, ka shtuar më tutje ai.

E se sa ka pasë përkrahje, ai tha se për fat të keq për hulumtime të mirëfillta shkencore, nuk ka përkrahje sa do të duhej, duke thënë se shpreson se në të ardhmen do të avancohen.

Përndryshe profesori ka publikuar dhjetëra hulumtime të tilla, e pritet të publikojë akoma.  /Lajmi.net/