Injorimi nga Shqipëria

Deri sot, Tirana zyrtare nuk foli për zgjedhjet e 3 nëntorit në Kosovë. Akullin e theu Kryeparlamentari Ilir Meta. Jo me deklaratë zyrtare, por kur u pyet në një intervistë. Ai përshëndeti qytetarët për pjekurinë me të cilën votuan në zgjedhje.

Lajme

07/11/2013 14:25

Reagoi Departamenti Amerikan i Shtetit, Foreign Office’i Britanik, Ministria e Jashtme e Francës, Ministria e Jashtme e Gjermanisë.

Mënyra se si kosovarët bënë zgjedhjet lokale më 3 nëntor u lavdërua nga tërë bota demokratike. Ajo që ndodhi në Mitrovicën e Veriut u dënua nga të njëjtit.

Por, zëri i Tiranës nuk u dëgjua fare këto ditë.  Nuk folën as Presidenti Bujar Nishani e as Kryeministri Edi Rama. Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë qëndroi e heshtur, ndërsa Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë nuk u duk gjëkundi.

I pari që foli ishte Ilir Meta. Jo me ndonjë deklaratë zyrtare, por në një intervistë dhënë për Deutche Welle.

Sido që të jetë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, përshëndeti qytetarët e Kosovës “për pjekurinë dhe vendosmërinë me të cilën votuan në zgjedhjet komunale”.

Njëkohësisht ai përgëzoi edhe Bashkimin Europian dhe OSBE’në për punën e tyre në terren për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Vlerësoj punën e institucioneve të Kosovës për organizimin e këtyre zgjedhjeve që kanë një rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit. Nuk mendoj se incidentet e papranueshme dhe të izoluara të veriut të Mitrovicës do mund të cenojnë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, sepse vullneti i të dy vendeve është shprehur qartë pro vazhdimit të dialogut dhe avancimit drejt perspektivës evropiane”, ka thënë Ilir Meta, për DW.

Ai inkurajoi autoritetet përkatëse të hetojnë menjëherë dhe të sjellin para drejtësisë ata individë që dëshirojnë të ndalojnë zbatimin e Marrëveshjes së prillit dhe që punojnë kundër paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Sidoqoftë këta elementë destruktivë e kanë marrë goditjen e parë përmes pjesëmarrjes së qytetarëve në votim. Ne mbështesim zgjidhje që burojnë nga dialogu dhe gjithëpërfshirja”.

Duke folur për rolin e Shqipërisë në bisedimet Kosovë- Serbi, Meta u shpreh se Tirana zyrtare mbështet fuqimisht angazhimin e Bashkimit Europian në “ndërmjetësimin e suksesshëm” që po i bën dialogut.

“Shqipëria është e gatshme të ndihmojë përmes bashkëpunimit me Serbinë dhe Kosovën në planin bilateral dhe atë rajonal për gjetjen e zgjidhjeve afatgjata që do t’i shërbejnë paqes dhe sigurisë. Por hapat konkretë i takojnë Beogradit dhe Prishtinës t’i ndërmarrin për zbatimin e plotë të marrëveshjes mes tyre”.