Industritë kreative si minierë ari

Industritë kreative gjenerojnë 8 milionë funta në orë për ekonominë britanike.

Lajme

17/01/2014 18:32

Statistikat zyrtare të lëshuara nga Qeveria tregojnë se Industritë Kreative (ku përfshihen edhe filmat, televizioni e industria e muzikës) kanë vlerë neto prej 71.4 miliardë funtave në vit për ekonominë e Britanisë së Madhe.

Këto statistika tregojnë rritje prej pothuajse 10% në vitin 2012, duke mposhtur kështu të gjithë sektorët e tjerë të industrisë në Britani. Mes tjerash, llogaritet se 1.68 milionë vende pune janë regjistruar në këto industri për 2012-tën, që i bie 5.6% e vendeve të punës në të gjithë vendin.

“Këto statistika të jashtëzakonshme konfirmojnë performancën e shkëlqyeshme të Industrive Kreative (sektor ky që ka mposhtur gjithë sektorët tjerë të industrisë) dhe tregojnë se Industritë Kreative janë një fuqi ekonomike në Britani të Madhe”, deklaroi Maria Miller, Sekretare e Shtetit për Kulturë, Media e Sport.

“Jemi të përkushtuar që të sigurohemi se energjia, talenti, risia dhe aftësitë e këtij sektori dinamik do të vazhdojnë të përkthehen në sukses ekonomik, dhe që ky sektor të jetë një platformë e shquar, me anë të të cilit Britania do të jetë një vend i njohur në botë.”

Në anën tjetër, edhe kryesuesja e Këshillit të Inustrive Kreative, Nicola Mendelsohn i komentoi këto statistika.

“Këto numra janë një fakt i pamohueshëm për kontributin e sektorit tonë në ekonomi, andaj mbështetja e këtij sektori nga qeveria është e domosdoshme. Jemi duke punuar me qeverinë që të përpilojmë një strategji, me anë të së cilës do të identifikojmë se si të gjithë ata që janë të përfshirë në kreativë do të sigurohen se sektori ynë do të zhvillohet akoma më shumë.”