Indeksi i Korrupsionit: Kosova mbetet shteti me korrupsionin më të lartë në rajon

Organizata Transparency International ka publikuar sot Indeksin e perceptimit të Korrupsionit për vitin 2014. Kosova ka shënuar një përmirësim të lehtë, ka marrë 33 pikë dhe nga vendi i 111-të është ngritur në vendin 110-të. 

Lajme

03/12/2014 11:00

Më shumë se dy të tretat e 175 vendeve të vlerësuara, radhiten nën shifrën 50, në indeksin prej 0 pikësh, që përshkruan vendet me korrupsion të lartë, deri në 100 pikë, që vlen për vendet e pastra.

Kosova sivjet ka marrë 33 pikë, duke u radhitur në pozitën numër 110, ku ka shënuar përmirësim të lehtë, nëse krahasohet me vitin e kaluar, kur ka qenë në vendin e 111-të.

Pozitën 110 e mban edhe Shqipëria, e cila një vit më parë ka qenë në vendin e 116-të.

Në vendin e 110, së bashku me Kosovën dhe Shqipërinë gjithashtu janë edhe Eukadori, Etiopia dhe Malavi.

Ndërkaq, Maqedonia, duke qenë në vendin e 64-të, mban pozitë më të mirë se pjesa tjetër e rajonit. Pas saj radhiten Mali i Zi në vendin e 76-të, Serbia në vendin e 78-të dhe Bosnja në vendin e 80-të.

Duke prezantuar Indeksion e perceptimit të Korrupsionit, Artan Canhasi nga KDI ka thënë se Kosova nuk ka shënuar as progres dhe as regres.

Ai tha se KDI mendon se ekziston një trekëndësh i korrupsionit në Kosovë.

“Sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit, Kosova nuk ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit. Kosova prap është notuar me 33 pikë, njësoj sikurse vitin e kaluar. Do të thotë nuk ka ndryshim fare, do të thotë nuk ka as progres, pavarësisht shumë fjalëve që janë thënë se Kosova ka bërë progres në këtë drejtim”.

“Kur folën për mos progresin në luftën kundër korrupsionit, ne si KDI mendojmë se arsyet janë të shumta dhe kryesisht kanë të bëjnë me tri drejtime të ndryshme, si shkelja e prokurimit publik. Ka shumë shkelje në prokurimin publik në Kosovë. Pastaj kemi mungesën e transparencës të partive politike, ku të hyrat nga prokurimi publik shkojnë në partitë politike dhe nuk deklarohen. Dhe më pas kemi kontributet e fshehta. Ky trekëndësh, ku zyrtarët publik pranojnë fonde ilegale nga bizneset, ku këta zyrtarë zgjidhen me ndihëmn e fondeve të tilla dhe pastaj këta i shpërblejnë këta biznesmen”, ka thënë Canhasi në një konferencë për media.

Sipas organizatës Transparency International, korrupsioni është problem për të gjitha ekonomitë dhe kërkon nga qendrat financiare në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara që të veprojnë së bashku me ekonomitë në rritje, për të parandaluar këtë dukuri.

“Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit në vitin 2014 tregon se rritja ekonomike minohet dhe përpjekjet për të ndaluar korrupsionin zbehen, kur liderë dhe zyrtarë të lartë abuzojnë me pushtetin për të përvetësuar fondet publike”, ka thënë Jose Ugaz, kryesues i organizatës Transparency International.

Në Indeksin e sivjetmë, Danimarka ka dalë e para me 92 pikë, ndërsa Koreja e Veriut dhe Somalia ndajnë vendin e fundit, me nga tetë pikë.

Rëniet më të mëdha kanë qenë në Turqi me minus pesë pikë dhe në Angola, Kinë, Malavi dhe Ruandë me minus katër pikë. Ndërkaq, përmirësimet më të mëdha janë shënuar në Bregun e Fildishtë, Egjipt, Shën Vincent dhe Grenadine me plus pesë pikë, si dhe në Afganistan, Jordani, Mali dhe Zvicër me plus katër pikë.

“Vendet në fund duhet të miratojnë masa radikale kundër korrupsionit, në favor të popullit të tyre. Vendet në krye të Indeksit duhet të sigurojnë se nuk eksportojnë praktika të korrupsionit në vendet e pazhvilluara”, ka thënë Ugaz.

Sipas tij, korrupsioni i madh në ekonomitë e mëdha jo vetëm se bllokon të drejtat themelore të të varfërve, por krijon probleme dhe jostabilitet edhe në qeverisje.

“Ekonomitë me rritje të shpejtë, qeveritë e të cilave refuzojnë të jenë transparente dhe tolerojnë korrupsionin, krijojnë një kulturë të mosndëshkimit, në të cilën korrupsioni lulëzon”, ka thënë Ugaz.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit radhit vendet në bazë të niveleve të tyre të korrupsionit në sektorin publik.

Renditja e Kosovës në vendin e 110 sa i takon shkallës së korrupsionit sipas organizatës ndërkombëtare Transparency International, është edhe një lajm i keq për Kosovën,  thotë Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit Hasan Preteni.

“Me të vërtetë është edhe një informacion shqetësues. Nëse i kemi poenët e njëjtë si në vitin e kaluar, atëherë ky është një vit komplet i humbur në angazhimet kundër korrupsionit”.

“Një vit ose dy vite rradhazi ne jemi më të dobët se në vitin 2012, kur koeficienti ishte 3.4. Vitin e kaluar 3.3 dhe tani 3.3,  me të vërtetë është për të ardhur keq, për të gjitha institucionet, për qytetarin e Kosovës në veçanti, duhet të pranojmë për ne udhëheqësit e institucioneve, të cilët kemi për mision luftën kundër korrupsionit”, tha Preteni për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha se kjo dukuri nuk po luftohet e as gjykohet.

“Gjërat nuk po lëvizin në drejtimin e duhur dhe kjo është për të ardhur keq”, u shpreh Preteni.

Preteni konsideron se institucionet të cilat duhet ta luftojnë korrupsionin janë organet e drejtësisë, si prokuroritë dhe gjykatat.

“Për të luftuar korrupsionin është gjyqësori. Edhe në këtë pjesë përgjegjësia kryesore pse nuk po luftohet korrupsioni në masën e duhur është çështje e prokurorive dhe gjykatave”, tha Preteni për Radio Evropa e Lirë.