Inaugurim sheshesh- Komuna e Prishtinës sot bën edhe një “përhajër”

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se këtë të enjte, më 13 mars, do të mbahet ceremonia e inaugurimit të “Sheshit Erhard Busek” në hapësirën pranë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Me këtë rast është thirrur seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal me vetëm një pikë të rendit të ditës, e cila ndërlidhet me këtë ceremoni. “Në…

Lajme

13/03/2025 08:41

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se këtë të enjte, më 13 mars, do të mbahet ceremonia e inaugurimit të “Sheshit Erhard Busek” në hapësirën pranë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Me këtë rast është thirrur seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal me vetëm një pikë të rendit të ditës, e cila ndërlidhet me këtë ceremoni.

“Në bazë të nenit 44.4 të Ligjit nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale “Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës” nr.28/15, qershor 2008, e njoftojmë publikun se me datën 13.3.2025, në ora 10:00, në Sallën e madhe të mbledhjeve në Objektin e vjetër të Komunës, mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kryeqytetit, me një pikë të rendit të ditës: 1. Propozim-vendimi për emërtimin e sheshit “Dr.Erhard Busek”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, ky shesh është një shenjë mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm të Erhard Busekut në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

Busek, një figurë e njohur politike dhe akademike austriake, ka qenë një mbështetës i madh i proceseve demokratike në Ballkan.

Inaugurimi do të zhvillohet në orën 11:00, brenda Kampusit të Universitetit Publik të Prishtinës, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Së fundmi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përuruar fillimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë.

Mirëpo, punimet të cilat filluan të hënën u ndaluan vetëm pas dy ditësh nga Inspektorati i trashëgimisë kulturore, pasi janë në kundërshtim me ligjin.