“Inate politike” edhe në raste të vdekjes – Kurti i thuri lavde e elozhe të huajve e Oliver Ivanoviqit ndërsa për Haxhi Thaçin shkroi në emër të Qeverisë

Në mbrëmjen e së dielës është ndarë nga jeta, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi, Haxhi Thaçi. Ai për disa javë ishte duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku edhe u vizitua vetëm tri ditë para vdekjes nga djali i tij, ish-presidenti Thaçi i cili po gjykohet nga Gjykata Speciale në Hagë. Emra…

Lajme

17/03/2025 20:43

Në mbrëmjen e së dielës është ndarë nga jeta, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi, Haxhi Thaçi.

Ai për disa javë ishte duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku edhe u vizitua vetëm tri ditë para vdekjes nga djali i tij, ish-presidenti Thaçi i cili po gjykohet nga Gjykata Speciale në Hagë.

Emra nga politika në Kosovë, gazetarë, artistë e qytetarë të shumtë shkruan për të si dhe e nderuan babain e ish-presidentit i cili luftoi për Pavarësinë e Kosovës si dhe e shpalli atë, më 17 shkurt të 2008-tës në Kuvendin e Kosovës.

Edhe “kundërshtarë” politikë të djalit të tij, shkruan për të e disa prej tyre edhe vizituan vendlindjen e tij për të ngushëlluar familjen Thaçi, në Burojë të Skenderajt, shkruan lajmi.net.

Kryesia e anëtarë të PDK-së, kreu i AAK-së e shumë politikanë të tjerë kosovarë u pritën nga djali e vëllezërit e Thaçit, por jo edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai nuk shkoi sot në Burojë për ngushëllime, por as në profilin e tij privat nuk shkroi për ta nderuar veprën e Haxhi Thaçit.

Përmes një telegrami ngushëllimi me tri fjali që u lëshua nga Qeveria e Kosovës, Kurti konsideroi së “kreu” punë mjaftueshëm.


Në profilin e tij, dje (e diel) kishte shkruar edhe për viktimat që humbën jetën dje në Koçan duke iu shprehur ngushëllime familjeve.

“U shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjeve të viktimave, të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe liderëve shtetërorë të vendit tonë fqinj, ndërkaq të lënduarve u përcjellim urimet tona më të sinqerta për shërim të shpejtë dhe të plotë. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme dhe të vullnetshme që të ndihmojnë në çdo mënyrë të mundshme”, ka shkruar Kurti dje në Facebook.

Albin Kurti kishte shkruar gjatë e biles edhe kishte bërë video, për të përkujtuar politikanin serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i cili u vra më 16 janar të vitit 2018.

Ai gjatë atij postimi i kishte thurur “elozhe”, duke e konsideruar të sinqertë, të mprehtë si dhe të respektueshëm serbin Oliver Ivanoviq, shkruan lajmi.net.

“Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike. Pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës. Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij.

Vrasja e Oliverit ndikoi gjithë shoqërinë. Ky krim vrau jo vetëm Oliver Ivanoviqin, por edhe pluralizmin politik te serbët. Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen. Në këtë mënyrë të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviqit”, pati shkruar Kurti më 16 janar të 2023-tës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u pati kritikuar shumë pas këtij reagimi për Oliver Ivanoviqin, e po vazhdon të kritikohet edhe sot për shkak të “mosreagimit” të tij pas vdekjes së babait të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Ai si duket po vazhdon t’i mbaj “inatet” e tij me ish-presidentin Thaçi, ndërsa mbetet të shihet nëse do të marrë pjesë në varrimin e Haxhi Thaçit, i cili do të mbahet nesër nga ora 15:00 tek varrezat e fshatit Burojë të Skenderajt.

Gjykata Speciale në Hagë ende nuk është deklaruar nëse ish-presidenti, Hashim Thaçi do të lirohet që marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij. /Lajmi.net/