Importi shënoi rritje, bashkë me të u rritën edhe çmimet

Importi gjatë këtij viti ka shënuar rritje për rreth 11% në Kosovë. Kjo thuhet se edhe ka ndikuar në ngritjen e çmimeve të shumë produkteve në vend, e sidomos atyre ushqimore. Shitësit thonë se importi i këtyre produkteve nga shtetet tjera po u kushton më shumë, andaj edhe po i ngritin çmimet. Ndërkaq, sipas njohësve…

Lajme

25/03/2025 21:57

Importi gjatë këtij viti ka shënuar rritje për rreth 11% në Kosovë. Kjo thuhet se edhe ka ndikuar në ngritjen e çmimeve të shumë produkteve në vend, e sidomos atyre ushqimore. Shitësit thonë se importi i këtyre produkteve nga shtetet tjera po u kushton më shumë, andaj edhe po i ngritin çmimet. Ndërkaq, sipas njohësve të ekonomisë, mosmbështetja e prodhuesve vendorë ka ndikuar në këtë ngritje të importit.

 

Çmimet e perimeve pothuajse po u bëjnë konkurrencë atyre të produkteve të mishit. Diku 4 euro e diku edhe më shumë se aq po kushton vetëm një kilogram speca, e rreth 3 euro një kilogram domate.

 

Të larta janë edhe çmimet e produkteve ushqimore. Por, ata që merren me tregtimin e tyre thonë se kjo rritje e çmimeve është për shkak të mungesës së prodhimit, e rritjes së importit.

“Hala jemi në kohë të ftoftë edhe s’ka prodhim të Kosovës, përveç që kemi spinaq,qepë të re , lakër, prodhime tona. Speca, tranguj, domate, krejt janë të vendeve tjera”, tha Beqir Avdiu, shitës.

Përfaqësuesit e konsumatorëve thonë se lojëra me çmime po ndodhin për shkak të moskontrollit ndaj tyre.

“Të gjitha shtetet që prodhojnë e financojnë e subvencionojnë eksportin që do të thotë se ato prodhime  te ne duhet me qene ma të lira se atje, por ndodhë e kundërta. Kjo e dëshmon mungesën e kontrollit”, tha Selatin Kaçaniku, kryetar i shoqatës “ Konsumatori”

Ndërsa, njohës të ekonomisë thonë se mosmbështetja e prodhuesve vendorë po ndikon në rënien e prodhimit, ngritjen e importit e bashkë me të edhe të çmimeve.

“ Është një emergjencë kombëtare që institucione te Kosovës duhej të merren urgjentisht, sepse Kosova po importon jashtëzakonisht shumë dhe prodhimi është nivelin më të ut të mundshëm. Gjithashtu, edhe eksporti ka rënë dhe kjo sigurisht përçon mesazh negativ sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit”, tha  Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë për RTK.

E se është rritur importi, këtë e faktojnë edhe të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për muajin shkurt.

Sipas ASK-së, krahasuar me shkurtin e 2024-s, ka pasur një deficit tregtar prej 13.6%.

Pra eksporti i mallrave ka rënë për 4.3% ndërkaq importi ka shënuar rritje prej 10.9%, apo në 518.6 milionë euro.