“Importi i rrymës po kushton mbi 500 euro për kokë banori”, Bajrami kritikon ashpër Qeverinë Kurti: Paret po shkojnë te mafia energjetike

Kandidati i LDK-së për deputete, Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me importin e energjisë elektrike në Kosovë që nga ardhja në pushtet e Qeverisë Kurti. Sipas saj, Kosova ka importuar energji në vlerë 811 milionë euro, shpenzime që nuk mbulohen nga buxheti i shtetit, por drejtpërdrejt nga qytetarët përmes faturave të energjisë, transmeton lajmi.net. “Mesatarisht,…

Lajme

26/12/2025 09:54

Kandidati i LDK-së për deputete, Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me importin e energjisë elektrike në Kosovë që nga ardhja në pushtet e Qeverisë Kurti.

Sipas saj, Kosova ka importuar energji në vlerë 811 milionë euro, shpenzime që nuk mbulohen nga buxheti i shtetit, por drejtpërdrejt nga qytetarët përmes faturave të energjisë, transmeton lajmi.net.

“Mesatarisht, çdo banor ka paguar mbi 500 euro për këtë import”, ka shkruar Bajrami, duke kritikuar menaxhimin e sektorit energjetik dhe duke aluduar te përfitimet e dyshimta që ajo i quan “mafia energjetike”.

Ajo ka sfiduar Qeverinë që të japë llogari për përdorimin e këtyre mjeteve dhe të sqarojë qytetarët se ku kanë shkuar paratë e tyre, duke theksuar se transparenca në sektorin e energjisë është jetike për qytetarët dhe ekonominë e vendit.

Postimi i plotë:

Që nga dita kur Albin Kurti ka ardhur në pushtet e deri sot, Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë plot 811 milionë euro.
Ky import nuk paguhet nga buxheti i shtetit – këtë import e paguajnë direkt qytetarët përmes faturave të energjisë.
A e dini sa është kjo mesatarisht? Mbi 500 euro për kokë banori!
A e dini ku kanë shkuar këto para tuajat? Te mafia energjetike!
Pyetni Albinin kush janë ”mafia energjetike”, se ai i njeh më së miri./lajmi.net/