Imer Mushkolaj: Qeveria e unitetit nuk është zgjidhja – partitë po luajnë me durimin e qytetarëve
Në kohën kur Kosova gjendet në një bllokadë institucionale dhe përballë një krize politike, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka propozuar një qeveri uniteti me një agjendë 15-pikëshe, që do t’i përfshinte të gjitha partitë parlamentare. Por, analisti Imer Mushkolaj e konsideron këtë ide si një dalje taktike nga pozicioni i paqartë i LDK-së. Ai…

Lajme
Në kohën kur Kosova gjendet në një bllokadë institucionale dhe përballë një krize politike, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka propozuar një qeveri uniteti me një agjendë 15-pikëshe, që do t’i përfshinte të gjitha partitë parlamentare.
Por, analisti Imer Mushkolaj e konsideron këtë ide si një dalje taktike nga pozicioni i paqartë i LDK-së. Ai thotë se formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse është i pamundur dhe i panevojshëm.
Në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai komenton arsyet pse nuk sheh vullnet real për zgjidhje dhe kritikon qasjen e partive ndaj qytetarëve dhe institucioneve.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Mushkolaj, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka shpalosur sot një agjendë 15-pikëshe, në bazë të së cilës do të punonte një qeveri e unitetit e propozuar nga ai, dhe e cila do t’i përfshinte të gjitha partitë e tjera parlamentare. Si e keni parë ju këtë propozim të Abdixhikut?
Imer Mushkolaj: Unë jam kundër qeverive gjithëpërfshirëse, për shkak se konsiderohet se është e shëndetshme që jo të gjitha partitë të jenë në një qeveri, qoftë ajo e quajtur kalimtare ose e unitetit.
E dyta, konsideroj se zoti Abdixhiku këtë propozimin e vet e ka bërë më shumë me qëllimin që ta ketë një alternativë, ose ta propozojë një alternativë, për shkak të qëndrimit jashtëzakonisht të çuditshëm të LDK-së karshi mundësisë për të bërë koalicion, qoftë me partinë që i ka fituar zgjedhjet – Lëvizjen Vetëvendosje, qoftë me opozitën dhe tash ka dalë me këtë propozim, që, për mua, është i çuditshëm.
Për shkak të qëndrimit të çuditshëm ka dalë me këtë propozim, duke pasur parasysh se LDK-ja në këtë rast është pro që në qeveri të jetë edhe PDK-ja, kushtimisht edhe Vetëvendosja, por është kundër që të bëjë koalicion të veçantë, qoftë me Vetëvendosjen, qoftë me PDK-në, ose partitë e tjera opozitare.
Më tepër është si njëfarë lloj strategjie dalëse prej qëndrimit të LDK-së, sesa përnjëmend një propozim i cili do të mund të mirëpritet nga partitë tjera në Kosovë. Parimisht, nuk ka gjë të keqe që të publikohen, të prezantohen, a të provohet, që të kalojnë ide të tilla.
Por, unë konsideroj se kjo nuk është e mundur. Një qeveri uniteti nuk është e mundur.
Dhe, nëse i lexojmë apo i shohim ato 15 propozime që i ka dhënë LDK-ja, shumicën prej tyre zoti Abdixhiku dhe LDK-ja, do të mund t’i realizonte po të bëhej pjesë e cilësdo qeveri, apo cilitdo koalicion të mundshëm, gjithnjë duke pasur parasysh se në koalicione ose në një koalicionin eventual, LDK-ja, do të merrte pjesën e vet të përgjegjësisë në fusha të caktuara, qoftë ekonomike, qoftë të sigurisë, në mënyrë që t’i realizojë disa nga këto propozime.
Por, duket se LDK-ja, përkatësisht zoti Abdixhiku, nuk ka vullnet që të bëhet pjesë e koalicioneve qeveritare as me pushtetin në detyrë tash, e as me opozitën parlamentare, por paska vullnet që të bëhet pjesë e një qeverie të ashtuquajtur të unitetit, në të cilën bëjnë pjesë edhe pushteti i sotshëm, por edhe opozita aktuale.
Intervisten e plotë mund ta lexoni KETU