Iljaz Halimi kandidati i vetëm shqiptar për President të Maqedonisë

Janë katër kandidatë për postin e Presidentit në Maqedoni. Në mesin e tyre është edhe kandidati i vetëm shqiptar, Iljaz Halimi nga PSHD. Ndërkaq, BDI nuk ka kandiduar askënd sepse kjo parti ka qenë për zgjedhjen e një Presidenti konsensual.

Lajme

29/03/2014 10:43

Do të jenë katër kandidatë për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të cilat do të mbahen më 13 prill.

Gjorgje Ivanoc nga VMRO-DPMNE, Iljaz Halimi nga PDSH-ja, Stevo Pendarovski nga Lista Sociale Demokrate e Maqedonisë dhe Zoran Popovski nga Iniciativa Qytetare për Maqedoninë. Këta janë kandidatët për president të Maqedonisë.

Iljaz Halimi është i vetmi kandidatë shqiptar. Ai deri më tani ka ushtruar disa funksione të rëndësishme. Ka qenë zëvendës ministër i Mbrojtjes dhe nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë. Halimi është 60 vjeç dhe ka karrierë të gjatë në politikë. Nëse zgjidhet president, ai ka thënë se do të jetë president i të gjithë qytetarëve dhe do të luftojë për të ndërprerë politikën antishqiptare të kreut shtetëror në Maqedoni.

Ndërkaq, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni, pas shortit të hedhur, është vendosur që i pari në fletëvotim të radhitet kryetari aktual Gjeorge Ivanov, i dyti është Iljaz Halmi, i treti Stevo Pendarovski dhe i katërti në listë Zoran Popovski.

Partia më e madhe shqiptare në Maqedoni, BDI nuk ka pranuar të kandidojë askënd për postin e Presidentit. Kjo parti vlerëson se ka kaluar koha e presidentëve të njëanshëm dhe se Maqedonisë i nevojitet një president konsensual, që do të ketë mbështetje nga të gjitha komunitetet. Meqë kjo nismë e BDI-së nuk u pranua, kjo parti fton shqiptarët të mos dalin në zgjedhje.