IKSHPK: Në Kosovë nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë me Lijën e Majmunëve
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), ka njoftuar se në Kosovë nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë, sa i përket mpox apo Lijës së Majmunëve dhe se nuk ka vend për panik, por për kujdes. Nga IKSHPK-ja kanë thënë se janë në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë janë duke e përcjellur me…
Lajme
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), ka njoftuar se në Kosovë nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë, sa i përket mpox apo Lijës së Majmunëve dhe se nuk ka vend për panik, por për kujdes.
Nga IKSHPK-ja kanë thënë se janë në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë janë duke e përcjellur me vëmendje epidemiologjinë e mpox që nga paraqitja e rasteve të para sivjet në kontinentin e Afrikës.
“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me OBSH-në dhe ECDC-në, për vlerësimin e rrezikshmërisë dhe rekomandimeve për masat që duhet ndërmarrë për sëmundjen në fjalë. Në laboratorët e IKShPK-së janë në dispozicion reagensët për testimin e rasteve të dyshimta”, thuhet në njoftim.
“IKSHPK po monitoron situatën epidemiologjike në bashkëpunim me SHSKUK-në dhe konform situatës epidemiologjike në rajon dhe në botë, do të dal me njoftime të reja”
Profesionistët shëndetësor rekomandohet të rrisin vëmendjen për simptomat e sëmundjes, ndërsa qytetarët këshillohen që të lajmërohen te mjeku nëse kanë dyshime apo simptoma të sëmundjes.
Kjo vjen pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), të mërkurën më 14 gusht 2024, ka shpallur Mpox (dikur të quajtur si Lija e Majmunëve) emergjencë globale për shëndetin publik, për herë të dytë brenda dy vjetëve.
OBSH e ka marrë këtë vendim pas përhapjes së virusit në Republikën Demokratike të Kongos, si dhe në vendet fqinje, sikurse në Burundi, Kenia, Ruandë dhe Ugandë.
Derisa qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Afrikë ka thënë se vetëm këtë vit kontinenti i ka regjistruar 17.000 raste të infektimit të mpox dhe 517 vdekje. /Lajmi.net/