IKShPK: Në Kosovë janë konfirmuar 69 raste me fruth, 11 të reja gjatë javës së fundit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se në periudhën nga 16 prilli deri më 20 korrik 2026 janë konfirmuar gjithsej 69 raste me fruth në Kosovë. Sipas njoftimit të IKShPK-së, vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar 11 raste të reja të kësaj sëmundjeje ngjitëse. Komuna me numrin më…

Lajme

21/07/2026 11:15

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se në periudhën nga 16 prilli deri më 20 korrik 2026 janë konfirmuar gjithsej 69 raste me fruth në Kosovë.

Sipas njoftimit të IKShPK-së, vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar 11 raste të reja të kësaj sëmundjeje ngjitëse.

Komuna me numrin më të madh të rasteve është Prishtina me 21 raste, e pasuar nga Ferizaji dhe Fushë-Kosova me nga 12 raste secila. Në Kaçanik janë regjistruar shtatë raste, në Lipjan tre raste, ndërsa në Vushtrri, Shtime, Drenas dhe Obiliq nga dy raste. Me nga një rast janë evidentuar Podujeva, Gjilani, Deçani, Skenderaj, Shtërpca dhe Vitia.

IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet sa më shpejt në institucionet më të afërta shëndetësore.

Instituti rikujton se, për shkak të infektueshmërisë së lartë të fruthit dhe rrezikut të përhapjes në komunitet, vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e sëmundjes.

Në këtë drejtim, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin e tyre sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare. /Lajmi.net/