Ikja e rock shtërgut

Lou Reed, kronisti poetik i anës së egër, të pistë dhe të dëshpëruar të jetës, njëri ndër artistët muzikorë më me ndikim në epokën tonë, ka vdekur të dielën në New York, në moshën 71 vjeçare.

ShowBiz

27/10/2013 21:00

Lou Reed fliste në mënyrë jashtëzakonisht të sinqertë për realitetet e të qenit artist, të qenit person që e jeton jetën ashtu si do vetë.

“Ai nuk i zbukuronte gjërat. Ai nuk i sheqeroste gjërat. Ai e paraqiste jetën ashtu siç ishte. Kjo e bëri atë thellësisht origjinal dhe njërin ndër artistët më të mëdhenj të të gjitha kohëve”, u shpreh Simon Vozick-Levinson, kritik i revistës Rolling Stone.

John Cale, miku i tij i vjetër dhe njëri ndër themeluesit e Velvet Underground, pas marrjes së lajmit tha: “Bota humbi kompozitorin dhe poetin… Unë humba shokun tim të oborrit të shkollës”.

Nico, Andy Warhol dhe Velvet Underground.

Jeta e Lou Reed ishte e lidhur me Velvet Underground.

Ndonëse bendi asnjëherë nuk arriti sukses komercial, përzierja e veçantë e kitarave të ashpra dhe melodive të buta të kënduara nga Lou Reed dhe modelja Nico, arriti t’i bëjë ballë kohës.

John Cale me violë, Sterling Morrison me kitarë, Maureen Tucker me bateri dhe Lou Reed vokalist dhe kitarist, performuan për herë të parë si Velvet Underground në vitin 1965.

Ata u këndonin temave tabu: varësisë ndaj drogës, paranojës dhe devijimeve seksuale.

Revista Rolling Stone e ka ranguar albumin debutues The Velvet Underground and Nico (1967), në vendin e 13 të albumeve më të mira të të gjitha kohëve.

Ndikimi i tij në muzikën rock dhe punk ishte i jashtëzakonshëm.

Sipas artistit Brian Eno, “ndonëse albumi i parë i Velvet Underground është shitur në vetëm 30.000 kopje, secili që e ka blerë atë ka formuar bend të vetin”.

Pasi u bë i njohur me Velvet Underground dhe ishte pjesë e rrethit të Andy Warhol, Lou Reed në fillimin e viteve ’70 u përfshi në një orbitë artistike dekadente, të ngjashme me atë të David Bowie dhe Iggy Pop. Publikoi albume pioniere dhe sfiduese – Transformer, Berlin, Metal Machine Music.

U bë zëri publik i komunitetit gej dhe atij transgjinor, si asnjë artist i famshëm deri atëherë.

Dashuri. Art. Laurie. Lou.

Ishte adhurues i alkoolit dhe drogës.

Në muajin qershor të 2013, bashkëshortja e tij, artistja Laurie Anderson, bëri të ditur se në fillim të vitit gjendja e tij kishte qenë shumë e rëndë  – ishte në prag të vdekjes. Vuante nga mëlçia dhe kishte bërë transplantim.

As mosha e as sëmundja nuk ia dolën ta zbusnin natyrën e tij konfrontuese dhe rebeluese.

Kualitetin e muzikës digjitale e konsideronte “bërllok”.

Duke reaguar ndaj programit spiunues të NSA (Agjencisë së Sigurisë Kombëtare), kishte thënë se nuk mund të besonte se një 29 vjeçar kishte qasje në informata të tilla.

“Kjo nuk flet mirë për sigurinë tonë. Është shokuese. Është njeriu ynë, Obama, ai i cili e ka bërë këtë. Obama i ka vazhduar shumë gjëra të nisura nga Bush. Si ka mundësi të ndodhë?”.

Njëri ndër tiparet më të njohur të Lou Reed ishte mosdurimi i tij ndaj gazetarëve. I quante “parazitë që duan vetëm gjëra kontraverse”.

Kur një gazetar e pyeti për suksesin e kreativitetit të tij, Lou Reed u përgjigj:

“Pse jam kaq kreativ? Masturboj çdo ditë. OK?”.

  A.M.

Solo albumet

Lou Reed (1972)

Transformer (1972)

Berlin (1973)

Sally Can’t Dance (1974)

Metal Machine Music (1975)

Coney Island Baby (1975)

Rock and Roll Heart (1976)

Street Hassle (1978)

The Bells (1979)

Growing Up in Public (1980)

The Blue Mask (1982)

Legendary Hearts (1983)

New Sensations (1984)

Mistrial (1986)

New York (1989)

Songs for Drella (me John Cale) (1990)

Magic and Loss (1992)

Set the Twilight Reeling (1996)

Ecstasy (2000)

The Raven (2003)

Hudson River Wind Meditations (2007)

The Stone: Issue Three (me John Zorn dhe Laurie Anderson) (2008)

The Creation of the Universe (me the Metal Machine Trio) (2008)

Lulu (me Metallica) (2011)

* * *

Pesë këngët më të rëndësishme të Lou Reed, sipas kritikëve të gazetës Guardian.

I’m Waiting for the Man (1967)

Pale Blue Eyes (1969)

Walk on the Wild Side (1972)

Perfect Day (1972)

Sweet Jane (1974)