Ikja e mjekëve në vendet perëndimore, Zemaj zotohet se s’do të mbetet më asnjë i papunë
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, është duke raportuar në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi.
Lajme
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi është duke raportuar në lidhje me situatën e pandemisë COVID-19, por edhe të gjendjes së shëndetësisë në tërësi.
Ka qenë nënkryetari i këtij komisioni, deputeti Haxhi Avdyli nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i cili e ka pyetur ministrin Zemaj, në lidhje me punësimin e specializantëve dhe çështjen e buxhetit për shëndetësi, raporton lajmi.net.
Zemaj në këtë komision ka thënë se janë 100 specialistë të papunë, por që sipas tij, prioritet do të jetë punësimi i mjekëve dhe specialistëve, pasi që sipas tij, shumë prej tyre edhe kanë ikur drejt vendeve të perëndimit për shkak se kanë qenë të papunë.
Ministri Zemaj po ashtu ka thënë se është duke u përgatitur një rregullore e re për shërbyesit shëndetësor dhe se miratimi i kësaj rregulloreje do të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës.
“Nuk ka angazhim më të madh sesa angazhimi i 1500 specialistëve të ri apo i 100 mjekëve të ri. I kemi 100 specialistë të papunë. Jemi duke e pritur rregulloren e re për shërbyesit shëndetësor. Dhe qeveria do ta ketë prioritet miratimin e saj. Konkursi i parë që do të jetë do të jetë punësimi i specialistëve të papunë. Një pjesë e tyre kanë ikur në shtetet perëndimore, por ata që kanë mbetur do t’i punësojmë. Po e potencojë që asnjë mjek nuk do të mbetet më i papunë. Kjo lidhet me kërkesat buxhetore. Kërkesat buxhetore janë në rritje dhe kjo kërkon edhe bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe jemi në bisedime. Unë pres nga ju që të votoni edhe buxhetin sepse kjo lidhet me miratimin e buxhetit”, theksoi ndër të tjerash Zemaj. /Lajmi.net/