Ikja e investitorëve të huaj, shqetësuese

Shifrat flasin për një rënie të investimeve të huaja në Kosovë, kurse Qeveria vlerëson se me 3 milionë euro grante për ndërmarrjet e vogla e të mesme pritet rritja e numrit të të punësuarve në vend.  

Lajme

10/02/2015 19:58

Institucionet e Kosovës e pranojnë rënien e investimeve të huaja direkte në Kosovë. Shifrat që i prezantoi të martën ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Hykmete Bajrami, gjatë raportimit të saj para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, tregojnë një rënie të investimeve të huaja në gjatë dy vjetëve të fundit.

Për kryetarin e Komisionit, Muhamet Mustafa, kjo shifër e rënies së investitorëve është shqetësuese.

Megjithatë, kjo ministri thotë se me ndarjen e 3 milionë euro grante për mikro ndërmarrjet, ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme, pritet rritje e numrit të të punësuarve. Kreditë e larta vazhdojnë të jenë një ndër problemet kryesore për bizneset në Kosovë, e për këtë u kërkua ulja e kamatave.