IKD: Qeveria ta rishikojë Draft Strategjinë kundër Korrupsion

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Zbatimit të Ligjit (INL), përmes komunikatës për medie publikon raportin analitik “Saga e Strategjisë kundër Korrupsion”, në të cilin analizohet Draft Strategjia kundër Korrupsion e publikuar nga Zyra e Kryeministrit. Fillimisht,  IKD thekson faktin se  Kosova nuk ka Strategji…

Lajme

16/01/2025 11:00

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Zbatimit të Ligjit (INL), përmes komunikatës për medie publikon raportin analitik “Saga e Strategjisë kundër Korrupsion”, në të cilin analizohet Draft Strategjia kundër Korrupsion e publikuar nga Zyra e Kryeministrit.

Fillimisht,  IKD thekson faktin se  Kosova nuk ka Strategji kundër Korrupsion që nga viti 2019, dhe se nuk është respektuar as edhe afati për përfundimin e Strategjisë, i cili ishte deri më 1 dhjetor 2023.  Sipas gjetjeve të IKD-së,  edhe përkundër vonesave të pakuptueshme dhe të panevojshme nga qeveria aktuale në miratimin e strategjisë, ndërmarrja e veprimeve drejt hartimit të Draft Strategjisë kundër korrupsion është një hap pozitiv drejt përmbushjes së këtij obligimi ligjor, me kushtin që të trajtohen me kujdes komentet dhe sygjerimet e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare gjatë procesit të konsultimit publik.Gjetjet e IKD-së, theksojnë se nuk ishte respektuar as Rregullorja e Punës së Qeverisë në lidhje me afatin për komente. Kjo pasi ishte ofruar një afat prej vetëm nëntë (9) ditë pune për të dhënë komente në platformën e konsultimit, duke injoruar afatin minimal prej 15 ditësh. Sipas IKD-së Draft Strategjia dhe Draft Plani i Veprimit nuk janë hartuar në përputhje me Manualin e Qeverisë për Planifikimin, Hartimin dhe Monitorimin e Dokumenteve Strategjive dhe Planeve të tyre të Veprimit.

Për më tepër, IKD gjen se ky dokument ka mangësi substanciale në identifikimin e problemeve, nuk bënë një pasqyrim real dhe praktik të problemeve në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, në mënyrë që lehtësisht të identifikoheshin edhe masat e nevojshme.

Ndër të tjera, në raport theksohet edhe se Draft Strategjia përfshin masa, të cilat nuk përbëjnë qartësisht masa anti-korrupsion. Draft strategjisë i mungojnë masa të rëndësishme në fusha kyçe kundër korrupsionit dhese shumë prej fushave kruciale që paraqesin potencial të lartë për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit nuk janë pjesë e Draft Strategjisë.

IKD thekson se Draft Strategjia duhet të bëjë një pasqyrim adekuat të gjendjes faktike dhe të përmbajë edhe problemet praktike të ngritura nga publiku viteve të fundit. Sipas IKD, procedurat e mbyllura të prokurimit publik kanë ngritur dyshime për transparencën dhe ligjshmërinë e shpenzimit të parasë publike. Po ashtu, thuhet se raportimet për hakmarrje ndaj sinjalizuesve tregojnë për dobësi të sistemit në mbrojtjen e këtyre personave që luajnë një rol kyç në zbulimin e keqpërdorimeve.

Më tej, theksohet edhe se dyshimet për keqpërdorime në ministri të ndryshme, përdorimi i kontratave një burimore nga qeveria dhe nivelet komunale, si dhe korrupsioni i pretenduar në ndërmarrjet publike, sjellin në pah nevojën për rritjen e mbikëqyrjes institucionale dhe pavarësisë nga ndikimet politike.

Po ashtu, në këtë raport thuhet edhe se dyshimet për përfshirjen e zyrtarëve të lartë shtetëror në veprime të kundërligjshme dhe dyshimet për probleme në ndarjen e subvencioneve evidentojnë nevojën për trajtimin e këtyre fushave. Sipas IKD, këto problematika kërkojnë një qasje gjithëpërfshirëse në Draft Strategji.

Në shumë raste, Draft Strategjia përmbanë vetëm përshkrim të burimeve të caktuara dhe jo një qasje dhe vlerësim analitik të të dhënave mbi bazën e këtyre burimeve. Përkundër se fokusi në digjitalizim dhe transparencë konsiderohet si aspekt pozitiv, IKD thekson se kërkohet specifikim i veprimeve dhe vlerësim i rreziqeve për këtë qëllim

IKD ka identifikuar edhe pasaktësi në përmbajtjen e Draft Strategjisë: Draft Strategjia i është referuar Indeksit të Transparency International për vitin 2024, përderisa i njëjti nuk është publikuar ende si dhe i është referuar gabimisht Komisionit të Venecias si organ i Bashkimit Evropian, përderisa i njëjti është organ i Këshillit të Evropës.

IKD i ka rekomanduar Qeverisë që Draft Strategjia të shqyrtojë parandalimin dhe luftimin e korrupsionit përmes dimensionit gjinor. Sipas IKD, qasja gjinore në raport me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit do të theksonte rëndësinë e përfshirjes së grave në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Në anën tjetër, IKD vlerëson se në Draft Strategji duhet të trajtohen edhe disa masa të rëndësishme në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, e që disa prej tyre përmendën vetëm në kontekst të përgjithshëm apo në kuadër të masave të tjera, por nuk adresohen në mënyrë adekuate. Kështu, sipas IKD, disa prej masave që duhet të përfshijë Draft Strategjia kanë të bëjnë me 1) Parandalimin dhe menaxhimi i konfliktit të interesit; 2) Mbrojtja e sinjalizuesve; 3) Vlerësimi i rreziqeve të korrupsionit në fusha apo sektorë të ndryshëm dhe vlerësimi i rreziqeve dhe zbrazëtirave të legjislacionit (primar dhe sekondar) që potencialisht mund ta rrisin korrupsionin 4) vlerësimi nëse legjislacioni është në pajtim me standardet ndërkombëtar kundër korrupsionit, harmonizimi i legjislacionit me direktivat e BE, 5) ndihma juridike ndërkombëtare, 6) Anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtar, 6) Policia e Kosovës, 7) Konfiskimi i Pasurisë së kundërligjshme, 7) Planet e Integritetit, 8) Niveli sekondar i qeverisjes, 9) Diskutimet publike në rastet e vendimeve qeveritare me efekt të gjerë financiar etj.

Gjithashtu, IKD gjen edhe se propozimi për zgjerimin e kompetencave të Gjykatës Kushtetuese, për ta bërë atë institucion mbikëqyrës të KGjK-së dhe KPK-së, bie ndesh me Kushtetutën dhe rolin e drejtësisë kushtetuese në Kosovë. Kjo pasi, sipas këtij raporti, këto masa mund të kufizojnë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe krijojnë një disbalancë në ndarjen e pushteteve.

Raporti i publikuar: