IKD: Promovimi i të dyshuarit për përfshirje në rastin e “Rezervave Shtetërore” është në kundërshtim me parimet e qeverisjes së mirë
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e cilëson shqetësues dhe të papranueshëm vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Irfan Lipovicës në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë së Akreditimit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Lipovica është njëri ndër të dyshuarit për përfshirje në rastin e njohur si “rezervat…

Lajme
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e cilëson shqetësues dhe të papranueshëm vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Irfan Lipovicës në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë së Akreditimit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Lipovica është njëri ndër të dyshuarit për përfshirje në rastin e njohur si “rezervat shtetërore”, një nga aferat më serioze të dyshuara për keqpërdorim të parasë publike në vitin 2023. Duke pasur parasysh prezumimin e pafajësisë, duhet theksuar se promovimi i zyrtarëve të përfshirë në këtë rast është në kundërshtim me parimet e qeverisjes së mirë dhe nevojës për mbrojtje të kredibilitetit institucional.
Në lidhje me rastin e rezervave shtetërore, ku i dyshuar është edhe Lipovica, standardet e qeverisjes së mirë kërkojnë bashkëpunim të Ministrisë me institucionet e sistemit të drejtësisë. E përballë dyshimeve për korrupsion lidhur me rezervat shtetërore, ministrja e MINT, Rozeta Hajdari, nuk kishte bërë përpjekje për të bashkëpunuar me institucionet e sistemit të drejtësisë në drejtim të zbardhjes së rastit. Përkundrazi, pa asnjë bazë ligjore akuzoi Policinë për mënyrën e marrjes së provave. Sulmet kundër sistemit të drejtësisë për këtë rast vazhduan edhe nga Kryeministri, tash në detyrë, Albin Kurti.
Pa pritur verdiktin e organeve të sistemit të drejtësisë, ministrja Hajdari konstatoi qëndrimin e saj mbi pafajësinë e Lipovicës. Përpos mbrojtjes, Lipovica tani edhe u promovua, duke u përzgjedhur në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë së Akreditimit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
IKD konsideron se ky vendim përbën shkelje të parimeve të qeverisjes së mirë dhe dërgon mesazh të gabuar për publikun, duke cenuar besimin në institucionet shtetërore dhe duke dëmtuar seriozisht standardet e qeverisjes së mirë dhe integritetit në shërbimin civil. Promovimi i Lipovicës vie pas shkarkimit të zyrtarit i cili kishte sinjalizuar keqpërdorimet në lidhje me rezervat shtetërore. Kjo situatë dërgon mesazhin e promovimit të personave të dyshuar për përfshirje në aferën e “rezervave shtetërore” dhe hakmarrjes së personave që kanë sinjalizuar për këtë rast.
Me qëllim të respektimit të parimeve të qeverisjes së mirë, IKD kërkon nga Qeveria e Kosovës që të rishqyrtojë menjëherë këtë vendim dhe të vendosë standarde të qarta dhe të pakompromis për emërimet e larta, në mënyrë që këto emërime të reflektojnë parimet e qeverisjes së mirë dhe të ruajnë besimin e publikut në institucionet publike.