IKD: Ministria po dështon të zbatojë aktgjykimet për pensionet e dyfishta, kërkohet hetim nga Prokuroria
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim lidhur me moszbatimin e aktgjykimeve të formës së prerë nga Departamentet e Pensioneve në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ), të cilat u njohin qytetarëve të drejtën për pension të dyfishtë. Sipas një komunikate të IKD-së, rastet e trajtuara nga Qendra për…
Lajme
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim lidhur me moszbatimin e aktgjykimeve të formës së prerë nga Departamentet e Pensioneve në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ), të cilat u njohin qytetarëve të drejtën për pension të dyfishtë.
Sipas një komunikate të IKD-së, rastet e trajtuara nga Qendra për Ndihmë Juridike Falas tregojnë se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, pasi edhe pas përfundimit të procedurave gjyqësore, Ministria në disa raste nuk i ekzekuton aktgjykimet, nuk alokon mjetet financiare për qytetarët përfitues ose nxjerr vendime të reja që bien në kundërshtim me ato që kanë vendosur gjykatat.
“Edhe kur e drejta është konfirmuar nga të gjitha instancat gjyqësore, përfshirë edhe Gjykatën Supreme, aktgjykimet vazhdojnë të mos ekzekutohen, duke mos u alokuar mjetet financiare për qytetarët përfitues, të cilët mbesin pa i realizuar përfitimet që u janë njohur me vendim gjyqësor të formës së prerë”, thuhet në komunikatë.
IKD thekson se në disa raste, pasi gjykata anulon një vendim administrativ dhe e kthen çështjen në rivendosje, Ministria nxjerr sërish vendim refuzues me të njëjtin arsyetim, duke mos respektuar udhëzimet dhe qëndrimin juridik të gjykatës.
“Kthimi i çështjes në rivendosje nuk i jep Ministrisë të drejtë ta përsërisë vendimin e anuluar, pa i marrë në konsideratë vërejtjet dhe udhëzimet e gjykatës. Ajo është e obliguar ta respektojë qëndrimin juridik të gjykatës dhe ta shqyrtojë rastin sipas udhëzimeve të saj”, thekson IKD.
Sipas organizatës, veçanërisht shqetësuese janë rastet kur, pavarësisht se qytetarëve u është njohur e drejta me aktgjykime të plotfuqishme, Ministria vazhdon t’ua ndërpresë atë përmes vendimeve të reja të mbështetura në të njëjtat arsye faktike dhe juridike që tashmë janë rrëzuar nga gjykatat.
“Këto veprime jo vetëm që bien ndesh me autoritetin e vendimeve gjyqësore dhe parimin e res judicata, por krijojnë një situatë ku administrata publike, në vend se të zbatojë vendimet e gjykatave, i detyron qytetarët të përballen me procedura të përsëritura administrative dhe gjyqësore për të njëjtën çështje”, thuhet në reagim.
IKD vlerëson se kjo praktikë cenon sigurinë juridike dhe sundimin e ligjit, duke rikujtuar se vendimet gjyqësore janë të detyrueshme edhe për administratën publike.
Organizata rikujton gjithashtu se, sipas nenit 394 të Kodit Penal, refuzimi ose mosekzekutimi i një aktgjykimi të plotfuqishëm gjyqësor përbën vepër penale, ndërsa në varësi të pasojave dënimi mund të arrijë deri në pesë vjet burgim.
“Kur personi zyrtar e di, ose duhet ta dijë, se ekziston një aktgjykim i plotfuqishëm dhe prapë refuzon ta zbatojë atë, veprimi nuk mund të arsyetohet”, thekson IKD.
Po ashtu, organizata vlerëson se, në varësi të rrethanave konkrete, mund të ekzistojnë dyshime edhe për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414 të Kodit Penal.
Në fund, IKD i ka bërë thirrje MPFVLÇ-së që të evidentojë dhe zbatojë menjëherë të gjitha aktgjykimet e formës së prerë, të kryejë pagesat që burojnë prej tyre dhe të ndalojë nxjerrjen e vendimeve që bien në kundërshtim me qëndrimet e gjykatave.
Njëkohësisht, IKD i ka kërkuar Prokurorit të Shtetit të hetojë situatën në funksion të dyshimeve për veprën penale të mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore.